Rama: Do të krijojmë faktor të ri shtetëror në tregun e naftës, në proces ligji i rezervave

TIRANË, 13 mars /ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se forca e shtetit do të hyjë edhe në tregun e naftës për të lehtësuar marrëveshjet me kompanitë shpërndarëse.
Në konferencën me gazetarët, kreu i qeverisë tha se situata në Lindjen e Mesme ka çuar në shfaqjen e krizës në të gjithë botën, përfshirë edhe Shqipërinë si rezultat i rritjes së çmimit të naftës.
“Unë e kam shprehur që kur kemi bërë mbledhjen e parë të Asamblesë së shumicës qeverisëse pas zgjedhjeve, që një nga objektivat tona është krijimi i një faktori të ri në tregun e naftës, një faktori shtetëror, një force publike për të krijuar një kapacitet që të lehtësojë barrën mbi qytetarët, sikundër e lehtësoi konkurrenca që ne nxitëm duke ndryshuar qasjen për fluturimet ajrore”, tha Rama.
Rama tha se “Shqipëria kishte aeroportin më të shtrenjtë në Evropë, por sot ka aeroportin më të suksesshëm të Ballkanit, me një diferencë mbresëlënëse nga aeroporti historik i kryeqytetit të rajonit, Beogradi”.
“Sot nuk është më Beogradi kryeqyteti i aviacionit, sot është Tirana. Dhe kjo është arritje e kësaj qeverie, me gjithë keqardhjen për të gjithë ata që na duan të vdekur. Sa më shumë na duan të vdekur, më shumë ne gjallërohemi”, tha Rama.
Ai pohoi se qeveria do të krijojë faktorin publik duke futur forcën e shtetit në tregun e naftës, për të dhënë shembullin se si edhe në tregun e naftës gjërat do të ndryshojnë.
“Ndërkohë që, duke vënë në dispozicion kapacitetin e shtetit dhe garancitë e shtetit, do të bëhet shumë më e lehtë për lojtarët që janë në treg, për të pasur marrëveshje me kompanitë që e shpërndajnë naftën, që të kenë qëndrueshmëri afatgjatë. Sot, ne kemi në proces ligjin e rezervave që është në konsultim publik. Ne e kemi përcaktuar që rezerva duhet të shkojë në 3 muaj, por kjo nuk mjafton më. Kjo nuk mjafton më si masë sigurie sepse mund të jetë një masë e mjaftueshme për momente të tilla. Ne duhet të shkojmë përtej sigurisë, te ajo që qytetarët ndjejnë dhe meritojnë të kenë. Një treg nafte i cili të jetë më i përballueshëm se sa tregu i sotëm”, tha Kryeministri Rama.
/e.i/ /a.g/