Rauf Fico, kryediplomati poliedrik në shërbim të shtetformimit shqiptar

TIRANË, 13 mars/ATSH/ Më 13 mars të vitit 1881 lindi Rauf Fico, shtetar poliedrik dhe patriot shqiptar.
Rauf Fico lindi në Sana të Jemenit, ku i ati punonte si kadi (gjygjtar). Studimet e larta në Stamboll i shoqëroi më pas me një përvojë të gjerë në administratën shqiptare. Ai ishte ndër ata që ndihmuan në ndërtimin e shtetit shqiptar në hapat e parë drejt pavarësisë dhe konsolidimit institucional.
Fico ishte një nga përfaqësuesit e Gjirokastrës në Kongresin e Manastirit (1908).
Mori pjesë në Qeverinë e Vlorës (1912), në kabinetet e Turhan Përmetit (1914, 1918), dhe më pas mbajti detyrën e nënprefektit të Tiranës (1916–1920).
Pas Kongresit të Lushnjës (1920), Fico mbajti pozita të larta drejtuese, duke kontribuar si ministër i Brendshëm dhe i Jashtëm, si dhe duke përfaqësuar Shqipërinë si diplomat në Turqi e Bullgari.
Kontributi i tij u vlerësua për maturinë politike dhe profesionalizmin në drejtimin e institucioneve kryesore, deri në ndarjen nga jeta më 23 janar të vitit 1944.
/a.f/