E Diel, 1 Nëntor 2026

“Siguria ushqimore, kusht për BE”, Ferrero: Hyrja në union do të sjellë përfitime për konsumatirët shqiptarë

Integrimi në Bashkimin Europian për Shqipërinë mes të tjerash kushtëzohet edhe nga garantimi i sigurisë ushqimore për konsumatorët shqiptarë. Unioni kërkon më shumë standarde në këtë drejtim dhe një sistem kontrolli për produktet që konsumohen.

“Siguria ushqimore është një fushë që në BE i kushtohet shumë vëmendje dhe garantohet mbrojtje për konsumatorët. Nëse blen produkte kur je në BE, e di çfarë po ha dhe ka një sistem që mund të gjurmojë menjëherë dhe bllokojë produkte që nuk respektojnë përdorimin e pesticideve apo kontaminime të tjera. Hyrja në BE do të thotë përfitime konkrete për konsumatorët shqiptarë”, Andrea Ferrero – shef i seksionit të zhvillimit ekonomik dhe social, delegacioni i BE në Shqipëri

Qeveria shqiptare garanton se po punon që konsumatorët të jenë më të sigurt, por shton se ky është një proces i shtrirë në kohë dhe nuk ndodh vetëm në datën e integrimit.

“Integrimi europian perceptohet shumë si siguri e konsumatorëve, siguri ushqimore. Edhe ne besojmë që do të ketë një përmirësim të ndjeshëm në këtë drejtim. Jo domosdoshmërisht vetëm në ditën e integrimit sepse po bëhet një punë të madhe për përafrimin e legjislacionit dhe me draftin e fundit që kemi dorëzuar kemi tentuar të bëjmë një përafrim të plotë të të gjitha rregulloreve të BE, duke bërë të mundur që konsumatori shqiptar të gëzojë të njëjtën mbrojtje me konsumatorin europian”, Enkelejd Musabelliu, zv.ministër i ekonomisë.

Në këtë proces, autoritetet kërkojnë edhe bashkëpunimin e qytetarëve

“E ndjej të arsyeshme në këtë tryezë të bëj thirrje që të blihet jo vetëm në shitës të autorizuar, por produktet të jenë gjithmonë të shoqëruar me faturë, e cila dëshmon kush e ka shitur dhe si e ka shitur”,  zv.ministër i ekonomisë.

Për konsumatorët bëhet thirrje edhe që të denoncojnë çdo rast abuziv, duke rritur kështu kontrollet nga autoritetet dhe duke garantuar më shumë siguri ushqimore.

/vizionplus.tv

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›