Rama: Dorëheqja morale vetëm pasi të kalojë faza revolucionare e pavarësisë së drejtësisë

TIRANË, 26 shkurt/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socilaliste shprehu sot bindjen se do të vijë edhe koha e të ashtuquajturave dorëheqje morale, por pasi të kalojë kjo fazë revolucionare e pavarësisë së drejtësisë.
Në mbledhjen e grupit parlamentar të PS-së, Rama u shpreh se “Shqipëria figuron si vendi me një rekord të zymtë europian ku një gjykatës i jep të drejtë një prokurori në zyrë për të pezulluar një ministër apo një gjykatës Apeli i jep të drejtën vetes t’i dyfishojë dënimin atyre që çojnë çështjen për rigjykim”.
Rama tha se e njeh shumë mirë edhe teorinë dhe praktikën europiane të dorëheqjes morale, e cila sipas tij, “nuk praktikohet kudo dhe kurdoherë njëlloj”.
“Por sot në Shqipëri, kur sidomos drejtësia ka filluar të bëjë një shërbim të pamohueshëm për vendin, por po bën edhe një dëm të konsiderueshëm kolateral mbi administratën, duke e përmbysur faktikisht rregullisht parimin e shenjtë demokratik të prezumimit të pafajësisë, mekanizmi i qeverisjes të vendit nuk mund të kurdiset dhe çkurdiset sa herë prokuroria ngre një akuzë”, tha Rama.
Sipas tij, edhe pse në Gjermani një ministër i akuzuar jep automatikisht dorëheqjen, kjo nuk ndodh në Itali madje as edhe në Francë.
“Madje në Francë Ministri i Drejtësisë qëndroi në zyrë kur u ngrit një akuzë shumë e rëndë dhe mori pafajësinë nga zyra. Kush i bën këto krahasime nuk duhet të harrojë se përtej këtyre, Gjermania është një shtet model i së drejtës ku prezumimi i pafajësisë është në piedestal”, tha Rama.
Rama kujtoi se materialet e nxjerra vjedhurazi nga dosjet hetimore në Gjermani gjykata i bën të pavlefshme, pasi mendohet se kanë cenuar balancën e drejtësisë duke u përdorur si ushqim mediatik për të influencuar rezultatin e procesit.
“Në Gjermani dhe në demokracitë e konsoliduara të Europës prokuroria nuk funksionon si kompani transporti që merr mallra me dokumente nga arkivat e ministrive dhe agjencive dhe i çon në zyrat e prokurorisë. Në Gjermani kufijtë mes problemeve administrative dhe përgjegjësisë penale janë shkruara”, shtoi Rama.
Ndërkohë, Shqipëria sipas tij, është në një fazë të re historike ku drejtësia e pavarur duhet të rritet duke mësuar në kurriz të lirive dhe të drejtave të njerëzve, apo deri në dhunim të administratës apo sipërmarrjes.
/a.f/