Rama: Drejtësia, arsyeja pse do të marrim më shumë vota

TIRANË, 29 prill/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama u shpreh sot se proceset gjyqësore mbeten shpresa e vetme e “kënetës” dhe e “moçaleve” të vogla, të cilët shpresojnë se SPAK do të shkrijë PS-në.
Në një komunikim të drejtpërdrejtë në rrjetet sociale përmes rubrikës “Sy m’Sy”, Rama iu përgjigj një komentuesi i cili e pyet se përse nuk jep dorëheqjen pas vendosjes para drejtësisë të disa zyrtarëve të PS-së.
“Ku i ke parë këto dorëheqjet me asosacion se nuk i kuptoj fare. E di që tanimë se kjo historia e proceseve hetimore dhe gjyqësore është shpresa e vetme jo vetëm e “kënetës”, por edhe e “moçaleve” të vogla. Atë që nuk e realizojnë dot në fushën e ballafaqimit elektoral me popullin mendojnë se do ta realizojnë duke nxitur SPAK dhe duke shpresuar se SPAK do të shkrijë PS-në”, tha Rama.
Rama kujtoi se me PS-në populli shqiptar po shikon për herë të parë përpjekje serioze për të garantuar barazinë para ligjit.
“Nga ana tjetër duke bërë këtë presion qesharak që, ‘ja si mund të votohen këta, kur këta kanë gjysmën e qeverisë në burg?’. Ndërkohë që pikërisht pse populli është minimalisht një shkallë më lart se më i zgjuari dhe më i dituri nga të gjithë ju, nuk e ha këtë. Sepse populli ka një kujtesë dhe e kuptoj se pse nuk ndodhnin më përpara këto procese, që të shikonim dikë me pushtet që të hetohej, të ngrihej një akuzë, të ndalohej, gjykohej, dënohej”, tha Rama.
Rama theksoi se “barazia para ligjit po ndodh sot për shkakun tonë dhe jo për shkakun e ‘kënetës’ ku ‘plaquriten’ verbërisht kot disa”.
“‘Plaquriten’ kot, sepse nuk janë përfitues të pushtetit të kënetës, i atyre milionave që patjetër dalin nga barku i kënetës dhe shkojnë për të futur bufin në lavanderi që t’i pastrohet balta e turpit. Nga i nxori ato 6 milionë pyes unë, e di ti?”, iu përgjigj Rama komentuesit.
Ndaj Rama tha se formula “jep dorëheqjen, se ky apo ai është në burg”, nuk funksionon fare.
“Një nga arsyet pse PS ka marrë rezultati më të mirë që ka marrë në drejtimin tim është se për herë të parë populli shqiptar po shikon barazi, përpjekje serioze për të garantuar barazinë para ligjit. Dumani, një prokuror me integritet dhe me profesionalizëm, ka qenë këtu edhe më parë. Kur ai erdhi në detyrën e kreut të SPAK, lufta për të vendosur barazinë para ligjit shkoi në një nivel tjetër. Ky është fakt nuk kemi çfarë themi fare”, tha Rama.
Por sipas tij, “më parë Altin Dumani ka qenë i çarmatosur, sepse që prej krijimit të shtetit shqiptar deri kur bëmë Reformën në Drejtësi asnjëherë, askush nuk ka bërë asnjë hap për të çliruar drejtësinë nga kthetrat e pushtetit politik”.
“Kjo historia që ‘ik ti, se ky dhe ai është në burg’ është qesharake shumë. Një nga arsyet pse PS do të fitojë më shumë vota dhe do të marrë më shumë mbështetje është edhe kjo për të cilën ‘këneta’ dhe ‘moçalet’ mendojnë se në fakt nuk duhet të marri vota”, tha ai.
/r.e/a.f/