E Martë, 3 Nëntor 2026

Rama: Krijuan një thashethem absurd, familja e presidentit Trump përgënjeshtroi “bufin”

TIRANE, 29 prill /ATSH/ Kryeministri Edi Rama tha sot se, se “bufi i kënetës” krijoi një thashethem, sipas të cilit Rama kishte shkuar në Beograd për të takuar djalin e Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me ndihmën e presidentit serb, Aleksandër Vuçiç.

Në një komunikim të drejtpërdrejtë në rrjetet sociale përmes rubrikës “Sy m’Sy”, Rama tha se ky thashethem absurd e detyroi ambasadorin Richard Grenell, por edhe djalin e Presidentit Trump që të dilnin dhe ta përgënjeshtronin me një deklaratë.

“E patë se çfarë ndodhi dje me zëdhënësin e “bufit”, me një “kukumjaçkë” që doli dhe tha Edi Rama dështoi në tentativën e tij për të shkuar në Beograd, për të takuar Vuçiçin dhe përmes Vuçiçit tek aneksi i kuzhinës për të bërë sikur takohet rastësisht me djalin e Trumpit? E kuptoni në çfarë marrëzie u ka futur bufi 80 e ca vjeçar që e ka ndarë mendjen që do të bëjë prapë çorap Shqipërinë? Si mund të katandiset një parti politike në këtë farë feje?! Godasin, krijojnë një thashethem absurd total. Unë nuk vajta as te funerali i Papës se vëllai im Vuçiçi në Beograd do më merrte dhe aty të takoja si rastësisht djalin e Trumpit dhe këtë po përpiqte ta bënte ambasadori Grenell që është një njeri i respektuar, me të cilin unë kam një njohje dhe një miqësi krejt normale, po që kurrën e kurrës as nuk do t’ia kërkoja një gjë të tillë”, pohoi Rama.

“Pse duhet të shkoja unë në Beograd që të takoja çunin e Presidentit, apo se kështu funksionon te “këneta” me çunin e babit? U detyruan ata dhe ambasadori dhe çuni që të përgënjeshtrojnë “kënetën” që deri dje bënte sikur hynte e dilte për salcë kosi te shtëpia e Trumpit. Na sollën dhe Latifin 6 milionë dollarë. Lëviz Tifja ku të duash ti me 6 milionë dollarë, por ç’lidhje ka kjo me Amerikën, me Presidentin e SHBA-së apo me politikën amerikane”, nënvizoi Kryeministri.

/r.e/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›