E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Drejtësia e pavarur është investimi më i madh strategjik i PS-së për të gjithë brezat që vijnë

TIRANË, 26 shkurt /ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot në mbledhjen e zgjeruar të grupit parlamentar të Partia Socialiste e Shqipërisë dhe të kabinetit qeveritar, të zhvilluar në Pallatin e Brigadave, se Drejtësia e pavarur është investimi më i madh strategji i PS-së për të gjithë brezat që vijnë

Duke folur për opozitën, Rama u shpreh se si deputetët e PD edhe drejtuesite partive të reja, presin që SPAK-u t’i hapë rrugën.

“Shikojini vetë rreth e rrotull. Që nga hunjtë e vjetër dhe të thyer, që ju hyni nëpër zyrat e Kuvendit dhe i shikoni përditë në korridore, tek filizat e rinj dhe të shtrembër që i keni nga ana tjetër e Bulevardit, poshtë dritares sime, e deri tek ballisti Agron dhe komunisti Arlind, që i mbajnë sytë të gjithë tek stacioni i trenit duke pritur që SPAK-u t’i hapë rrugën njërit për kotecin e pulave, tjetrit për kasollen e Aligatit me yll”, tha Rama.

Ai shtoi se nuk dëshiron të relativizojë problematikën e mprehtë të efekteve anësore të reformës në drejtësi, por nënvizoi se të gjithë duhet ta mbajnë shumë fort parasysh përgjegjësinë përpara se të reagojnë.

“Reforma në drejtësi është një investim strategjik i Partisë Socialiste të Shqipërisë për një ndryshim të pakthyeshëm historik në plotë kuptimin e fjalës, si pavarësimi i drejtësisë dhe çdo diskutim, reflektim apo vendim i yni si ligjvënës që zotërojmë jo rastësisht”, theksoi Rama.

Ai vuri në dukje se populli ndjen dhe përjeton drejtësinë në mënyrë të drejtpërdrejtë, dhe se ligjvënësit duhet të udhëhiqen nga kjo e vërtetë.

“Thonë që kur populli zgjedh populli ndjen dhe është ajo që populli ndjen që shtyn rezultatin në drejtime të caktuara që nganjëherë befasojnë të gjithë ata që i shikojnë gjërat nga lart dhe jo nga poshtë siç i sheh njeriu i zakonshëm”.

“Drejtësia e pavarur është investimi më i madh strategjik i PS-së për të gjithë brezat që vijnë. Asnjë hap mbrapa. Pavarësia e gjyqësorit nuk preket, vetëm forcohet. SPAK-u nuk preket, vetëm mbështetet. Hapa përpara po, pa asnjë diskutim”, tha Rama.

Ai shtoi se politika penale, procedurat penale, gjykimet civile, dënimet alternative dhe rivijëzimi i kufijve mes çështjeve penale dhe atyre administrative janë elementë të rëndësishëm që duhet të trajtohen me kujdes.

Rama vuri në dukje gjithashtu ngritien e piedestalit të shembur të prezumimit të pafajësisë, si parim universalisht i njohur i lirisë dhe të drejtave të njeriut, por edhe si domosdoshmëri shoqërore për një vend që ka dalë nga trauma e diktaturës dhe e sistemit të komunizmit.

“Janë çështjet tona në radhë të parë. Ata 58% shqiptarë dhe shqiptare që rrinë nëpër burgje pa gjyq janë çështja jonë dhe përgjegjësia jonë. Ai numër rrëqethës që vendos Shqipërinë të parafundit, pas Rusisë, për raportin mes dënimeve dhe pafajësimeve, është çështja jonë. Dhe këto nuk na i merr dot askush. Këto nuk i delegojmë dot askujt, dhe për to duhet t’i përgjigjemi ne në radhë të parë”, tha Rama.

Ai nënvizoi se kjo tematikë është prioritet në rendin e ditës dhe për këtë arsye qeveria është angazhuar me ministritë e drejtësisë të Italisë dhe Francës, duke marrë në dispozicion një rrjet ekspertësh të fushës së politikës penale dhe procedurave penale.

Rama përmendi gjithashtu bashkëpunimin me Këshillin e Europës për hartimin e një dokumenti ndryshimesh lidhur me procedurat penale., të cilat theksoi ai do të konsultohen edhe me Komisionin Europian

Rama u shpreh se me ekspertët ndërkombëtarë është ndarë edhe drafti i ri të Kodit penal, për të cilin kryeministri theksoi se, është bërë një punë kolosale e një grupi ekspertësh të pavarur nën udhëheqjen e drejtorit të Shkollës së Magjistaturës profesor Arben Rakipit.

“Pasi u reflektuan prej grupit edhe një lumë vërejtjesh të nxjerra nga konsultimi publik, e kemi ndarë së bashku me ata që thashë, me mbështetjen e këtyre ministrive si dhe të qeverisë së Holandës, e cila na ka vënë bujarisht në dispozicion një ekspert me shumë përvojë”, tha Rama.

/gj.m/a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›