Rama: Nuk mund të hyjmë në vallen e dorëheqjeve automatike sa herë ngrihet një akuzë

TIRANË, 26 shkurt/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama bëri të ditur sot se Belinda Balluku i ka dorëzuar tre herë dorëheqjen pas hetimit të hapur nga Struktura e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, dorëheqje e cila në asnjë rast nuk është pranuar prej tij.
Në mbledhjen e grupit parlamentar të PS-së, Rama tha se nuk do të komentojë procesin që ka nisur në parlament për këtë çështje për të cilin do të shprehet pasi të lexojë raportin e Këshillit të Mandateve.
Rama kujtoi se akuza ndaj Ballukut nuk është për korrupsion por është për pabarazi në tendera.
“Belinda Balluku e ka dorëzuar dorëheqjen tre herë qysh kur u ngrit akuza në fillim, jo për korrupsion por për pabarazi në tendera. Pastaj ma ka sjellë përsëri me shkrim dorëheqjen kur u bë pezullimi dhe pastaj edhe një herë të tretë kur u ripezullua nga mosvendimi i Gjykatës Kushtetuese. E kam hedhur unë poshtë kategorikisht idenë e dorëheqjes”, tha Rama.
Rama u ndal te faza revolucionare e jetës institucionale të vendit, ku ndryshe nga vendet me drejtësi dhe institucione të konsoliduara, drejtësia sapo ka nisur ta shijojë pavarësinë.
Në këtë drejtim, kryeministri theksoi se “ne nuk mund të hyjmë në vallen e dorëheqjeve automatike sa herë ngrihet një akuzë, por duhet të bëjmë secili punën e vetë, ne tonën dhe drejtësia të vetën”.
/a.f/