E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Pa PS në qeveri, të përndjekurit politikë do të kishin mbetur pa dëmshpërblime

TIRANË, 2 qershor /ATSH/ Në ceremoninë e zhvilluar sot në Tiranë me rastin e 35-vjetorit të krijimit të Partisë Socialiste, kryeministri dhe njëherësh kryetari i PS-së, Edi Rama, deklaroi se “kjo forcë politike ka ndërtuar një marrëdhënie të ekuilibruar me historinë, duke ndarë qartë periudhën e diktaturës nga Lufta Nacionalçlirimtare dhe nga individët që nuk janë përfshirë në krime”.

Në fjalën e mbajtur me këtë rast Rama u shpreh se “Partia Socialiste nuk doli si produkt i krenarisë për atë që linte pas, por si produkt i asaj që vinte përpara, ndaj dhe asnjë parti tjetër e krijuar në Shqipëri nuk ka atë që ka PS në ADN-në e vet, që vjen nga dita e ndarjes dhe rilindjes për t’u hapur në sensin e të parin të vetvetes me përgjegjësi për çdo gjë që ndodh dhe respekt ndaj të tjerëve”.

“Kjo është një parti, – vijoi Rama, – me qasje antikomuniste në aspektin ideologjik dhe progresiste, që nuk e ka ngatërruar kurrë kontributin historik me përgjegjësitë e diktaturës.”

Kryeministri solli në vëmendje edhe procesin e dëmshpërblimit të të përndjekurve politikë, duke theksuar se, sipas tij, pas vitit 2013 është përshpejtuar ky proces dhe janë ndërmarrë nisma institucionale për hapjen e dosjeve dhe dokumentimin e historisë së periudhës së diktaturës.

Sipas tij, PS ka mbajtur qëndrimin më korrekt me të shkuarën dhe ka respektuar të përndjekurit politikë.

“Nëse nuk do të kishte ardhur në qeveri PS në 2013, të burgosurit e vërtetë politikë të dalë nga burgjet dhe që ishin akoma gjallë, do të kishin ikur në atë botë pa e marrë dëmshpërblimin, sepse honxhobonxhot kishin prishur radhën dhe kishin shkuar te të tretët”, tha Rama.

Ai theksoi se, “PS nuk e ka problem të ballafaqohet me të shkuarën dhe ka qenë kjo qeveri që ka bërë ligjin e dosjeve, hapjen e dosjeve ka bërë muze për të treguar historinë e errët të diktaturës. PS është ajo forcë që ka fuqinë ta shohi në sy historinë dhe të ardhmen dhe asnjë parti tjetër në Shqipëri, nuk e ka këtë forcë”.

/e.xh/a.f/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›