Rama: Drejtësia u çlirua nga politika, vetëm PS garanton barazinë para ligjit

TIRANË, 27 prill /ATSH/ Kryeministri dhe njëherazi kryetar i Partisë Socialiste, Edi Rama, deklaroi sot se vota për PS në zgjedhjet e 11 majit është një votë për barazinë para ligjit, një vlerë që, sipas tij, u ka munguar qytetarëve shqiptarë për dekada.
Gjatë një takimi me gra dhe vajza të qarkut të Vlorës, Rama theksoi se barazia para ligjit nuk ka ekzistuar kurrë në historinë e shtetit shqiptar, që nga shpallja e Pavarësisë më 1912, pavarësisht ndryshimeve të regjimeve politike nga republika, monarkia, diktatura, deri tek tranzicioni demokratik.
“Shqipëria nuk ka njohur ndonjëherë një sistem ku qytetarët të jenë realisht të barabartë para ligjit. Kurrë më parë një njeri me pushtet nuk ka dalë para një prokurori të pavarur apo një gjykatësi të paanshëm, derisa ndërmorëm Reformën në Drejtësi”, tha Rama.
Ai shtoi se pavarësia e sistemit të drejtësisë është bërë e mundur falë vullnetit politik të Partisë Socialiste dhe mbështetjes popullore që mundësoi miratimin dhe zbatimin e reformës historike në drejtësi.
“Sot çdo shqiptar e di kush është Altin Dumani, një prokuror i ndershëm, profesionist dhe kurajoz. Por pyetja që kam unë është: A e dini ju që Altin Dumani nuk lindi para disa vitesh si prokuror, por ka vite në karrierë dhe ka qenë po ky, i ndershëm, profesionist e kurajoz? Pyetja tjetër: Si ka mundësi që ky njeri që në sytë e njerëzve është personalitet i respektuar nuk thirri një politikan apo zyrtar të lartë, ta merrte në pyetje? Asnjëherë nuk ndodhi. Ky është po ai njeri, por ama Shqipëria nuk është po ajo që ishte. Drejtësia nuk është ajo që ishte. Dumani dhe të tjerë prokurorë apo gjykatës që kaluan vetting-un aty ishin, por ishin të çarmatosur, sepse drejtësinë e përdorte si armë pushteti politik”, tha Rama.
Sipas kryeministrit, vendosmëria e PS për të çuar përpara Reformën në Drejtësi dhe për të çarmatosur veten nga përdorimi politik i saj, është dëshmi e seriozitetit të kësaj force politike për të ndërtuar një Shqipëri europiane.
“Ne dorëzuam vullnetarisht “shpatën e drejtësisë”, të cilën politika e kishte përdorur për dekada si mjet pushteti. Sot, garancia e vetme që reforma të mos kthehet mbrapsht është Partia Socialiste”, përfundoi Rama.
/r.e/