Rama: Eksperienca më ndihmon ta menaxhoj punën me më pak konsum dhe më shumë efikasitet

TIRANË, 19 tetor/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Rama foli sot gjatë podkastit “Flasim” për rrugëtimin e tij të gjatë në krye të qeverisë.
“Natyra ime janë muret, aty kalon koha më e madhe. Koha ikën gjithmonë e më shpejt. Çdo vit kalon më shpejt se viti paraardhës dhe kur kthen kokën pas mahnitesh që koha ka ikur aq shpejt”, tha Rama.
Rama iu përgjigj pyetjes së të ftuarës në këtë podkast nëse ndonjë ditë është ndjerë i lodhur dhe ka menduar që të heqë dorë.
“Kjo është një histori ngjitje, zbritjesh, rrëshqitjes, në momente të caktuara ndihesh i rrëzuar. Ka shumë presion, stres, ka momente dhimbje fizike, sepse është shumë e vështirë ose e pamundur që t’ia shpjegosh dikujt që kur arrin në majë je vetëm. Sigurisht nuk je vetëm në kuptimin fizik të fjalës, sepse i ke disa njerëz, dikë që e ke shumë afër, siç kam unë gjysmën time, ose ke disa njerëz, por në fund kur duhet të marrësh një vendim je vetëm”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se kur duhet të marrësh një vendim duhet edhe të përballesh me pasojat apo të papriturat që mund të sjellë ai vendim.
“Kjo është një punë vendimesh të panumërta në ditë. Për ty mund të jetë vendim shumë i vogël, por për dikë që ka një problem personal është një moment shumë i rëndësishëm i jetës së vetë. Duhet të dish të thuash “jo”, por kur thua “jo” sigurisht që do të marrësh përsipër dhe energjinë negative të dikujt që s’ta kupton”, shtoi ai.
Më tej kryeministri Rama u shpreh: “Është një akumulim që të vjen një moment, por që ta kem insistues jo, sepse kur bëhet insistuese ti e kupton se ka mbaruar zjarri. Dhe kur mbaron zjarri thua: deri këtu. Por mua zjarri nuk më ka dhënë shenja rënie dhe nga ana tjetër është eksperienca që fiton dhe dijet që merr të ndihmojnë shumë të menaxhosh situatën me më pak konsum energjie dhe me shumë efikasitet”, tha Rama.
/r.e/