E Hënë, 2 Nëntor 2026

GAZA – Hamasi hedh poshtë akuzat e SHBA-së për planifikimin e sulmeve ndaj banorëve

GAZA, 19 tetor /ATSH-DPA/- Organizata terroriste islamiste Hamas hodhi poshtë sot akuzat e SHBA-së se po planifikon një sulm ndaj civilëve palestinezë në Rripin e Gazës.

“Këto janë “pretendime të pabaza” të lidhura me propagandën izraelite”, tha Hamasi në një deklaratë.

Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) paralajmëroi dje në mbrëmje për rrezikun e një sulmi “të afërt” nga grupi militant islamik “Hamas” ndaj civilëve palestinezë në Gaza.

SHBA-ja tha se kishte informuar fuqitë garantuese të planit të paqes në Gaza në lidhje me “raportet e besueshme”.

Pas armëpushimit që hyri në fuqi më 10 tetor dhe tërheqjes së trupave izraelite nga pothuajse gjysma e brezit bregdetar, pati raportime për ekzekutime të civilëve palestinezë në Rripin e Gazës nga Hamasi.

Raportime për përleshje midis Hamasit dhe klaneve

Në deklaratën e tij, Hamasi akuzoi Izraelin për mbështetjen e “bandave kriminale” në Gaza që kanë kryer vrasje, rrëmbime, vjedhje të dërgesave të ndihmës dhe sulme ndaj civilëve palestinezë.

Kohët e fundit, ka pasur raportime të shumta për përleshje të dhunshme midis Hamasit dhe klaneve rivale në Rripin e Gazës që kundërshtojnë kontrollin e vendit nga Hamasi.

Izraeli tha se po vëzhgon me shqetësim përpjekjet e Hamasit për të rivendosur kontrollin e tij mbi zonën. Hamasi ka refuzuar të dorëzojë armët siç përcaktohet në marrëveshjen e armëpushimit. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›