E Hënë, 2 Nëntor 2026

Rama ndan fotoalbumin e javës

TIRANË, 19 tetor /ATSH/ Kryeministri Edi Rama ndau sot fotoalbumin e javës.

Kryeministri Rama priti të hënën presidenten e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, e cila nisi nga Tirana turin e saj në rajon, si dhe mori pjesë në Forumin e parë të Investimeve BE – Ballkani Perëndimor.

Ceremonia zyrtare e mirëseardhjes u mbajt në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” e më pas kryeministri Rama dhe presidentja Von der Leyen zhvilluan një takim kokë më kokë në Kryeministri, i cili u pasua nga takimi mes dy delegacioneve.

Në vijim, kryeministri Rama dhe presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen dhanë edhe një konferencë të përbashkët për shtyp.

Më pas ata morën pjesë në hapjen e Forumit të parë të Investimeve BE – Ballkani Perëndimor. Ky forum përbën një moment strategjik në integrimin ekonomik të rajonit me Bashkimin Evropian. Ai ofron mundësi për të tërhequr investimet e huaja direkte, për të nxitur inovacionin dhe për të përshpejtuar integrimin ekonomik të Ballkanit Perëndimor, duke nxitur në këtë mënyrë zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik në rajon.

Në kuadër të Forumit u shkëmbyen një seri letrash qëllimi (LOI) që i paraprijnë marrëveshjeve mes vendeve me interes të ndërsjellë.

Të martën kryeministri Edi Rama mori pjesë në forumin e Investimeve WB6- Bashkimi Europian, në aktivitetin Hackathon-i Rajonal i Inteligjencës Artificiale 2025 që bëri bashkë 161 pjesëmarrës nga i gjithë Ballkani Perëndimor dhe diaspora, me synimin për të zhvilluar zgjidhje konkrete të bazuara në Inteligjencën Artificiale (IA) për sfida reale shoqërore.

Kryeministri Rama, gjatë hapjes së eventit, vlerësoi rëndësinë e krijimit të një hapësire bashkëpunimi për inovatorët dhe startup-et, duke ofruar akses në institucionet shtetërore dhe burimet e të dhënave që do të mundësojnë zhvillimin e zgjidhjeve të reja përmes inteligjencës artificiale.

Të enjten kryeministri Rama ishte i pranishëm në konkursin ndërkombëtar për rilindjen e pallatit të sporteve “Asllan Rusi”, ku 6 skuadrat finaliste prezantuan për jurinë projektidetë arkitekturore.

Fitues u shpall projekti i kompanisë MVRDV. Ai parashikon që godina ekzistuese të transformohet në një qendër të gjallë, që ka jetë gjatë 24 orëve, një hapësirë ku takohen aktivitetet sportive, kulturore dhe ato sociale.

/gj.m/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›