Rama: Forcojmë prodhimin vendas e mbështesim fermerët. 1 mld euro të ardhura shtesë nga ekonomia

Kryeministri Edi Rama ka njoftuar miratimin e Skemës Kombëtare të Bujqësisë 2026, e cila synon të rrisë ndjeshëm mbështetjen për fermerët. Një fokus i veçantë, tha Rama, është vendosur tek fermerët e rinj, për të cilët është parashikuar një fond i konsiderueshëm për investime.
Rama theksoi se skema synon të forcojë prodhimin vendas, të rrisë konkurrueshmërinë dhe të fuqizojë zinxhirin e vlerës në bujqësi.
“Skema rrit ndjeshëm mbështetjen për fermerët, jo thjesht në aspektin e volumit financiar, por edhe në aspektin e lehtësimit të kushteve për ta përfituar atë që çdo fermeri i takon nga skema dhe, njëkohësisht, duke financuar në ato drejtime prioritare që garantojnë më shumë produktivitet dhe fuqizim më të mirë të zinxhirit të vlerës. Për herë të parë përfshihen në skemë forma mbështetjeje të cilat nuk kanë qenë të përdorura deri më sot. Ndërsa një tjetër risi është nxitja e praktikave të qëndrueshme në bujqësi, përmes mbështetjes së metodave biologjike dhe afrimit me standardet europiane. Një fokus i veçantë i skemës janë edhe fermerët e rinj, për të cilët është parashikuar një fond i konsiderueshëm që mbështet investimet e tyre dhe, nga ana tjetër, skema në tërësi forcon prodhimin vendas, sepse ky është një synim parësor, rrit konkurrueshmërinë duke krijuar më shumë mundësi dhe akses dhe, sigurisht, inkurajon përafrimin me standardet europiane”, tha Rama.
Në të njëjtën kohë, Kryeministri ka bërë të ditur se të ardhurat buxhetore kanë arritur një nivel historik, duke reflektuar fuqizimin e ekonomisë shqiptare. Sipas tij, ky rezultat është arritur jo nga rritja e taksave, por nga rritja e ekonomisë dhe përmirësimi i administrimit tatimor e doganor.
Sipas projeksioneve, pritet të mblidhen mbi 1 miliard euro të ardhura shtesë, duke e cilësuar këtë si një tregues të qartë të fazës së re ku ndodhet ekonomia shqiptare.
“Të ardhurat që kanë arritur në nivele të reja janë pikërisht rezultat i një administrimi shumë më efikas, me shumë më pak korrupsion dhe abuzim, një karakteristikë e sëmundjes së rëndë të trashëguar nga e shkuara, të cilën e kemi luftuar dhe do të vazhdojmë ta luftojmë ditë për ditë. Sipas projeksioneve, në periudhën që kalojmë pritet të mblidhen mbi 1 miliard euro të ardhura shtesë, dhe jo nga rritja e taksave, sepse nuk kemi bërë rritje të taksave, por nga rritja e ekonomisë dhe, patjetër, edhe nga rritja e cilësisë së administrimit tatimor dhe doganor, rritja e cilësisë së kontrollit për sa i përket transaksioneve në nivelin e biznesit, mes biznesit dhe konsumatorit dhe biznesit me biznesin, si dhe rritja e ndërgjegjësimit fiskal”, tha Rama.
/rtsh.al/