Rama: Gjetëm situatë xhungle në sektorin minerar, po synojmë të rrisim kapacitetet përpunuese

TIRANË, 29 prill/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama u shpreh sot se në sektorin minerar Shqipëria ka pasur një situatë krejtësisht të papranueshme për një vend europian, ndërsa tani situata është krejt tjetër.
Gjatë prezantimit të arritjeve kyçe në prodhimin dhe diversifikimin e burimeve të energjisë në Fier, Rama u ndal te transformimi i sektorit minerar, i cili sipas tij, gjendej në një situatë “xhungle”.
“Ishim në një situatë xhungle absolute, me shfaqje krejtësisht të papranueshme për Europën, turma fëmijësh të lëshuar mbi kodrat e mineraleve me trasta për të fituar bukën e gojës. Sot kemi një situatë krejt tjetër”, tha Kryeministri.
Por, Rama nënvizoi se “jemi të vetëdijshëm që duhet të rrisim kapacitetet tona përpunuese në këtë sektor”.
“Është shumë e qartë se nuk mundet dot të mjaftohemi me sistemimin dhe normalizimin e sektorit nga dhe tejkalimi nga xhungla, në qytetërim, por duhet të shkojmë përtej, të përpunojmë dhe eksportojmë produkte të përpunuara për të krijuar më shumë vlerë të shtuar. Kjo vlen për mineralet, por edhe për hidrokarburet, për naftën”, shtoi ai.
/a.f//r.e/