Rama: Nevojitet teknologji më e avancuar për nxjerrjen e naftës në Shpirag

TIRANË, 29 prill/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama u shpreh sot se sasia dhe cilësia e naftës së zbuluar në Shpirag është shumë e lartë, por nevojitet teknologji më e sofistikuar për nxjerrjen e saj.
Në një takim mbi energjinë në Fier, Rama u ndal te çështja e Shpiragut, ndërsa sqaroi se është konfirmuar edhe vlera e madhe që ka.
“Patëm një moment optimizmi që lidhet edhe me frustrimin historik kur ishim në kushtet e pritshmërisë së lartë nga Shpiragu. Sasia e zbuluar është shumë e madhe, cilësia shumë e lartë por vështirësia e nxjerrjes është shumë sfiduese”, tha Rama.
Por, Rama tha se fakti që ende SHELL nuk po e dorëzon dhe po përpiqet me traditën më të mirë holandeze që të bëjë pazare për atë pjesë, flet qartë se aty ka një vlerë të madhe.
“Do të duhet t’i referohemi një teknologjie më të sofistikuar, mbase do të jetë fati i atyre që do të vijnë më vonë në moshën e shfrytëzimit të pasurive të Shqipërisë, mbase do të vijë më shpejt, por gjithsesi këtu kemi edhe aktorë të tjerë që janë në faza eksplorimi të avancuar, siç është vetë ‘Eni’. Ne jemi shumë krenarë për bashkëpunimin. Daton në fillimet e shekullit të kaluar pastaj pati një ndërprerje dhe tani jemi rilidhur përsëri”, u shpreh ai.
/a.f//r.e/