Rama: Identiteti Digjital, i domosdoshëm për kalimin në transaksionet digjitale

TIRANË, 20 tetor/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama solli sot në vëmendje disa prej fushave që do të ndikohen më së shumti nga Identiteti Digjital.
Në aktivitetin e prezantimit të Identitetit Digjital, Rama shprehu besimin te fuqia e inovacionit për të krijuar një bazë solide për të imagjinuar transformime në çdo sektor.
“Ndaj i jemi përkushtuar inovacionit duke u bërë një vend vend lider në rajon për sa i përket shërbimeve publike përmes inovacionit”, tha Rama.
Sipas tij, Identiteti Digjital është një instrument i domosdoshëm për të realizuar planin e kalimit nga paratë “Cash” në transaksionet digjitale.
“Kjo do të thotë shumë më tepër siguri për konsumatorët, shumë më tepër transparencë për biznesin dhe shumë më tepër t ardhura nga ajo pjesë që i takon konsumatorit dhe që në një masë të madhe mbetet jashtë dyerve të tij për shkak të informalitetit dhe trukeve të ndryshme që do të reduktohen maksimalisht falë transaksioneve digjitale, që është Tatimi mbi Vlerën e Shtuar”, tha Rama.
Rama shprehu bindjen se përmes teknologjisë dhe inteligjencës Artificiale do të krijohen kushte dhe premisa tërësisht të reja për shërbimin shëndetësor, për mundësinë e kujtdo për të pasur një vëzhgim dhe një trajtim cilësor pavarësisht gjeografisë në të cilën ndodhet.
Po ashtu, Rama solli në vëmendje punën që po bëhet për të digjitalizuar sistemin e transporteve.
“Ne tani jemi të angazhuar në një punë të përditshme për krijimin e një akseleratori shumë të fuqishëm që do të mbështesë ministren tonë të krijuar nga AI, një akselerator që do të penetrojë të gjithë sektorët dhe që do të vërë në dispozicion të qeverisë, zgjidhje dhe opsione për çdo sektor, ku ne kemi nevojë të kapërcejmë pengesa të vjetra, apo ku kemi nevojë të bëjmë hapa shumë më të mëdhenj se deri më sot”, theksoi kryeministri Rama. /j.p/