E Martë, 3 Nëntor 2026

Rama: Inovacioni, pjesë e zhvillimit bujqësor për uljen e kostove

TIRANË, 2 korrik /ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se inovacioni duhet të bëhet pjesë e pandashme e zhvillimit të sektorit bujqësor, përmes përdorimit të teknologjive të reja dhe energjive alternative.

Në fjalën përmbyllëse pas diskutimeve të Ditës së Parë të Dialogut për Bujqësinë dhe Zhvillimin Rural, një platformë komunikimi mes fermerëve dhe sipërmarrësve, Rama theksoi se ulja e kostove për prodhuesit duhet të vijë edhe përmes qasjeve inovative dhe investimeve të qëndrueshme në energji.

“U tha aty shumë qartë, që ndërkohë që shikojmë këto aspekte, duhet të mendojmë dhe për uljen e kostove dhe duhet të jemi inovativë në shumë drejtime. Duhet të shfrytëzojmë edhe mbetjet e punës në bujqësi për të përfituar përmes riciklimit. Kemi shembull të shkëlqyer në Cërrik, ku falë qartësisë së kryetarit të Bashkisë së Cërrikut, që e kemi model në këtë punë dhe që ka sjellë një propozim tjetër për ta futur edhe IA-në në këtë proces, duhet të angazhohemi bashkërisht, qeveria, njësitë vendore dhe sipërmarrja për të ndërtuar sistemet e biogazit, që kanë një investim të konsiderueshëm fillimisht, por që kanë fitim. Në këtë investim duhet të ndërhyjmë ne, qeveria, njësitë vendore etj. Sipërmarrja këtë vetë e ka të pamundur, pasi ka barrë nga më të mëdhatë, e s’mund t’i kërkosh të investojë në një sistem që ka përfitime të mëdha, por që investimin fillestar e ka të madh”, tha Rama.

Ai vuri në dukje se për të shfrytëzuar potencialin e plotë të bujqësisë, është e nevojshme që institucionet publike, njësitë vendore dhe sektori privat të bashkëpunojnë ngushtë në drejtim të modeleve të reja zhvillimi.

/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›