Rama: Mbështetje për pika të reja të mbarështimit të të imtave në natyrë

TIRANË, 2 korrik /ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se duhet të krijojmë pika të reja të mbarështimit të të imtave në natyrë.
“Stani i Çajupit është një shembull spektakolar jo thjesht për blegtorinë, por edhe për turizmin, dhe koncepti i integruar i këtij stani, i kombinuar me blegtorinë dhe turizmin, është një koncept fitues”, tha Rama, në fjalën përmbyllëse pas diskutimeve të Ditës së Parë të Dialogut për Bujqësinë dhe Zhvillimin Rural mes fermerëve dhe sipërmarrësve në bujqësi për një urë të re komunikimi në funksion të rrugës së anëtarësimit të Shqipërisë 2030 në BE.
Kryeministri Rama bëri të ditur se “kemi diskutuar për të dalë me një program të posaçëm për të mbështetur krijimin e staneve dhe fermave në natyrë, në fushë. Siç pashë, ka gatishmëri”.
“Në Korçë kemi dy sipërmarrje të dalluara në përpunimin e mishit. Kanë të gjithë të drejtën, të shqetësuar nga njëra anë për sa i përket konkurrencës që bëhet si rezultat i pamundësisë për të ndarë importin e mishit për shitje nga importi i mishit për nënproduktet e tij, dhe duhet ta adresojmë këtë çështje”, nënvizoi Rama.
Por, vijoi Kryeministri, “nga ana tjetër kemi shumë të drejtë dhe duhet t’u kërkojmë, dhe ata e pritën më shumë entuziazëm, që të përfshihen në krijimin e një zinxhiri të blegtorisë për të pasur shumë më tepër prodhim mishi vendas në treg dhe për të eksportuar”.
Kreu i qeverisë vuri në dukje se duhet të krijojmë masë kritike dhe mund ta bëjmë duke bërë njëkohësisht një blegtori të lidhur me natyrën.
“Është bërë e modës fjala “bio”, por të jetë tërësisht në natyrë, po kështu edhe ferma fushore janë të mundura, por kërkojnë mbështetje nga ana jonë. Nuk kemi arsye të stepemi nga kjo situatë, nga inercia e rënies së numrit të krerëve, por përkundrazi, duhet të përgjigjemi me një politikë agresive në këtë drejtim, sepse është një politikë fituese”, theksoi Rama.
Më tej, Rama u shpreh se “çështja e ushqimit në tërësi dhe prodhimit të ushqimit duhet ta kthejmë në një çështje me prioritet edhe më të madh se e kemi pasur për këtë arsye i kemi dhënë një mbështetje edhe më të madhe Universitetit Bujqësor”.
/k.s//r.e//a.f/