E Hënë, 2 Nëntor 2026

Rama: Integrimi gradual tek fondet e BE-së po bëhet me Planin e Rritjes

TIRANË, 23 shtator/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama, i pranishëm në konferencën “Shqipëria, Horizonti i Ri” që po zhvillon punimet në Vjenë me pjesëmarrjen e sipërmarrjeve nga mbi 25 vende të botës u ndal tek fondet që përfiton Shqipëria nga Bashkimi Europian.

Kryeministri theksoi se “divergjenca ka qenë e theksuar gjatë dhe pas pandemisë, kjo pasi BE u angazhua me paketa të mëdha të asaj që quhej ndihma që i jepte vetes”.

“Natyrisht ishte një mbështetje e mrekullueshme që na u afrua nga BE. Por BE e ndihmoi veten dhe ne pamë që edhe ne kishim nevojë për atë ndihmë. Ndaj duhet të jemi pjesë e BE-së sa më shpejt të jetë e mundur sepse që të arrijmë konvergjencën pa u bërë pjesë e BE-së është e vështirë. Është matematikë e thjeshtë, por duke u bërë shtet anëtar muzika do të ndryshojë”, u shpreh Rama.

Kryeministri nënvizoi se Shqipëria ka dyfishuar PBB-në gjatë këtyre viteve, por kjo nuk mjafton.

“Kur sheh vendet e tjera të cilat janë bërë tashmë shtete anëtare se sa shumë ndihma marrin nga BE është pothuajse tronditëse. Mund t’ju jap shembull paratë që vende si Kroacia që është afër nesh gjeografikisht ose Bullgaria, Rumania, fondet që ata marrin nga BE janë mbi 4 mijë euro për frymë”, tha Rama.

Ndërkohë, kryeministri theksoi se edhe pse do të ndryshojë pak me Planin e Rritjes, Shqipëria ka marrë 132 euro për frymë.

“Pra 4 mijë euro për frymë si shtet anëtar i BE-së me 132 euro për frymë. Pra edhe ky hendek e tregon këtë divergjencë, por gjërat po ndryshojnë me Planin e ri të Rritjes, me integrimin gradual i cili më në fund po bëhet. Ne kemi bërë thirrje në Bruksel që nuk mund të jetë ‘o asnjë gjë, o gjithçka’. Pra që deri kur të hysh në BE, të bëhesh shtet anëtar nuk mund të kesh asgjë”, shtoi Rama. /j.p/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›