E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Kemi reformuar sistemet për t’i bërë më pak të prekshme nga korrupsioni

TIRANË, 31 mars/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste, deklaroi sot se korrupsioni luftohet më shumë se ndonjëherë më parë dhe kjo edhe falë përpjekjes së qeverisë për të reformuar sistemet dhe për t’i bërë ato më pak të prekshme nga korrupsioni.

Në mbledhjen e Asamblesë së PS-së të njësisë 7 në kryeqytet, Rama kujtoi se vendi është i pari në rajon për prokurimet publike, nga pikëpamja e cilësisë.

“Kjo sepse kemi bërë transformime shumë të mëdha në mënyrën si funksionojnë prokurimet publike. Prej kohësh tanimë ministritë dhe shumë agjenci nuk bëjnë më tendera. Tenderat janë hequr dhe bëhen nga një institucion përkatës që merret vetëm me atë punë dhe ka marrëdhënie me institucione homologe në vende të tjera”, tha Rama.

Sipas tij, sa më shumë luftohet aq më shumë dalin në pah probleme, por janë probleme edhe të trashëguara.

“Nuk është luftuar kurrë më parë dhe prandaj puna e institucioneve speciale dhe e SPAK-ut është të gërmojnë në vite. Ne prandaj e kemi pavarësuar drejtësinë, po është e pabesueshme që të diskutohet fakti që, nëse sot ka një drejtësi që vepron ‘pavarësisht nga’, kjo i dedikohet ekskluzivisht kësaj partie dhe i dedikohet ekskluzivisht reformës që ne kemi bërë”, shtoi Rama.

Kreu i Qeverisë theksoi se drejtësia duhet të jetë e pavarur dhe e balancuar për t’i peshuar të gjitha.

Sipas tij, “nuk ka pasur Shqipëria ndonjëherë përpara kësaj periudhe hetime të zyrtarëve të lartë dhe ngritje akuzash”.

“Po akoma sot Shqipëria ka nevojë ta përmirësojë të gjithë sistemin e pushtetit të vet ekzekutiv, edhe pse është mbi 100-vjeçar. Institucionet e reja të drejtësisë janë 5-vjeçare, 6-vjeçare, 7-vjeçare. Nuk mund të presësh që të veprojnë në çdo rast si autoritet i pagabueshëm dhe kjo është situata. Ne duhet të jemi shumë shumë të vendosur në këtë, po dhe njëkohësisht duhet të jemi shumë të qartë se këto janë meritat tona të padiskutueshme”, shtoi Rama.

Po ashtu, Rama kujtoi se kur PS mori detyrën drejtorët e policisë, mësuesit e infermierët vendoseshin në punë me politikë. /j.p/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›