Rama: Komuniteti Politik Europian në Tiranë, Shqipëria ka imponuar reciprocitet në respekt

TIRANË, 1 maj/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama, njëkohësisht kryetar i Partisë Socialiste deklaroi sot se Shqipëria ka imponuar reciprocitet në respekt në nivel ndërkombëtar dhe nuk është më ajo Shqipëria servile që “e shkelmonin” të gjithë.
Në takimin përmbyllës elektoral në Berat, Rama u ndal te samiti i Komunitetit Politik Europian në 16 maj në Tiranë.
“5 ditë pas 11 majit, në 16 maj, në sheshin ‘Skënderbej’ nën këmbët e heroit tonë kombëtar do të rreshtohen të gjithë udhëheqësit e Europës për samitin e të gjithë Komunitetit Politik Europian. Udhëheqës jo vetëm nga vendet e Bashkimit Europian por edhe nga shtete të tjera të Europës, nga Britania e Madhe tek Turqia, nga Azerbajxhani te Zvicra, nga Norvegjia te Armenia. Si ka mundësi? Sepse sot Shqipëria nuk është ajo që ishte. Sot Shqipëria është po aq e vogël sa ishte, por ama ka imponuar reciprocitet në respekt, nuk është më një Shqipëri servile, një Shqipëri servile me ‘pantallonat në fund të këmbëve’ që e shkelmonin në të katër anët, por është një Shqipëri krenare që shikon në sy dhe i respekton, dhe e shikojnë në sy dhe e respektojnë”, tha Rama.
Rama theksoi se Shqipëria sot është një hap larg derës së BE-së, një vend që po përmbyll ciklin historik të shtetbërjes demokratike.
“BE nuk pranon anëtarë që nuk kanë kryer ciklin e shtetbërjes demokratike dhe prova më e fortë, më e padiskutueshme është fakti që sot ne jemi tek dera së bashku me Malin e Zi. Rruga e fatit dhe historisë sonë u ngatërrua nëpër shtigje e hone më shumë për faj të të këqijve brenda nesh se sa për faj të armiqve tanë. Ne e humbëm disa herë trenin e historisë, sot e kemi para syve por duhet ta shohim dhe duhet ta marrim atë tren sepse duke investuar votën për Shqipërinë në BE dhe duke kontribuar me një votë secili që ky vend më në fund ta përmbush plotësisht profecinë e Gjergj Kastriotit ne do të bëjmë një gjë të jashtëzakonshme për kombin. Shqipëria në BE është një Shqipëri e re, një forcë e re, një organizëm i ri”, tha Rama.
/a.f/