Rama: Partiçkat e reja duan ta marrin peng vendin, me PS në BE

TIRANË, 1 maj /ATSH/ Kryeministri, njëherësh kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama zhvilloi sot një takim përmbyllës elektoral në Berat.
Në fjalën e tij Rama u shpreh se, nuk ka forcë më të re sesa PS-ja, teksa shtoi se, “partiçkat e reja duan ta çojnë vendin në zgjedhje të parakohshme”.
“Kujt thotë: po çfarë kërkon ky Edi Rama, një mandat të katërt? Pikërisht se ka akoma shumë për të bërë, ekzakt. Dhe kujt do t’ia lëmë, kush do ta bëjë? “Këneta” me “bufin”? Me “bufin” që i fiket llamba në çdo 3 minuta dhe që do gjenerator? Po ku t’ia gjejmë gjeneratorin?”, tha Rama.
“Apo me këto partiçkat e reja, që të re kanë vetëm moshën e kryetarëve të tyre. Ju këtu në qarkun e Beratit e keni paguar shtrenjtë ekzistencën e një partie të re. Ju kujtohet besoj? Ju kujtohet se ç’keni hequr nga një parti e re që nuk e zinte vendi, sa andej, sa këtej. Dhe që e kishte oreksin më të madh se ç’kishte stomakun, deri sa i plasi stomaku. Por ama, pasojat i paguat ju, i paguan njerëzit kudo”, tha Rama.
“Dhe dëgjojeni se çfarë thonë këta: “Nëse na vjen ne në dorë, ne do kërkojmë zgjedhje të parakohshme”. Tani imagjinoni ju, ne shkojmë negociojmë me BE-në çdo ditë, çdo ditë, çdo ditë, çdo ditë, sepse duhet të kapim 2027-ën dhe çfarë biem dakord atje duhet të vijmë këtu ta bëjmë ligj, ta bëjmë vendim, ta kthejmë në rregull. Dhe parafytyroni atje biem dakord vijmë këtu dhe duhet të shkojmë te “këneta” t’i lutemi që hajde se duhet të bëjmë këtë ligj. Pastaj duhet të rrimë të merremi me këta të tjerët që duan zgjedhje të parakohshme”.
“Pse duan zgjedhje të parakohshme? Duan të marrin peng popullin, duan të marrin peng vendin, deri sa të lodhur dhe të rraskapitur njerëzit të dorëzohen dhe të thonë po hajde t’ua lëmë këtyre se janë të rinj”.
“Nuk ka forcë më të re sesa PS-ja, po ama, nuk ka dhe forcë më të vjetër sesa PS-ja”, shtoi Rama.
“Ne jemi energjia e re dhe eksperienca e kohërave. Ne jemi zemra dhe mendja e shumicës”, tha ai.
Rama u shpreh se “nuk është rastësi që ne na mbështesin 56% e grave dhe vajzave të Shqipërisë”, teksa shtoi se, “pas suksesit të PS-së qëndron forca e madhe e grave dhe vajzave të mençura të Shqipërisë”.
Prandaj shtoi Rama, “edhe pastaj shumica e burrave na bashkohen, ku do venë, se janë të mençur”.
Rama theksoi se, “janë prekur disa se unë thashë që gjysma janë çyrykë. Pse u prekën? Unë nuk flas për individë, çdo individ në jetën e vet është i nderuar, i respektuar. Unë flas për fushën e betejës politike. Tani kur zgjedhja është me Shqipërinë, për Shqipërinë me BE-në në Evropë dhe me bufin në kënetë për t’u kthyer në gropë, ai që shkon me bufin në kënetë për t’u kthyer në gropë çfarë është? S’ka pse fyhet, mjafton mos të shkojë me bufin, të vijë me ne dhe është në rregull. S’ka asnjë problem. Shumë e thjeshtë. Madje ky është një test shumë i mirë”.
Rama i drejtoi një lutje vajzave dhe grave që deri më 11 maj të bëjnë çmos “që të bëjnë sa më shumë shoqe demokrate me vete, se kush bën shoqe demokrate me vete minimalisht i vënë në gjumë burrat e tyre demokratë, minimalisht”.
Por, shtoi Rama, “në të gjitha rastet, sido që të vijë puna, ne në 11 maj këtu në Berat jo vetëm do të konfirmojmë 5 deputetët, por do t’i konfirmojmë me diferencën më të thellë të mundshme”.
“Çdo bashki e Beratit do t’i japë PS-së deputetin dhe deputeten e vetë. Dhe ne jemi shumë krenarë se në listën e mbyllur kemi 52% gra dhe vajza”, tha Rama.
Ama, nënvizoi Rama, “fitorja duhet nxjerrë nga kutitë dhe për ta nxjerrë nga kutitë duhet të mobilizohemi të gjithë. Ne do të fitojmë, por ama fitorja është e kryer kur numërohet vota e fundit”.
/r.e/a.f/