Rama: Krenarë, garantuam një drejtësi që godet majtas dhe djathtas dhe sheh vetëm drejt

TIRANË, 1 maj/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama, njëkohësisht kryetar i Partisë Socialiste, deklaroi sot se vetëm PS garantoi një drejtësi që godet majtas dhe djathtas dhe bën detyrën e pashantazhuar dhe e paintimiduar.
Në takimin përmbyllës elektoral në Berat, Rama u shpreh se PS ia doli t’u japë shqiptarëve mundësinë të shikojnë se barazia para ligjit është e mundur.
“Ne së bashku, falë edhe mbështetjes së shumicës së shqiptarëve që morën një vendim shumë të fortë dhe për dy mandate rresht i dhanë PS-së fuqinë për të qeverisur e vetme, ia kemi dalë në diçka që nuk imagjinohej, ia kemi dalë që t’i japim këtij vendi mundësinë të shikojmë se barazia para ligjit është e mundur. Kurrë më parë, qysh se Shqipëria u bë shtet, kaloi në sisteme dhe regjime të ndryshme pa edhe Mbretërinë, dhe kulmin e diktaturës, pa tentativën për të bërë Republikë dhe tranzicionin nga diktatura në demokraci, por kurrë nuk pa një gjykatës apo prokuror të pavarur që të thërrasë para ligjit një njeri të pushtetshëm”, tha Rama.
Për të parë këtë, kryeministri theksoi se u desh që shumica e shqiptarëve t’ia jepnin timonin pa të tjerë në prehër PS, për të bërë reformën në drejtësi. “Ne garantuam një drejtësi që godet majtas dhe djathtas dhe sheh vetëm drejt”, shtoi ai.
“Sot i dëgjoni kur thonë: ‘Çfarë mandati të katërt kërkojnë këta, që kanë gjysmën e qeverisë në burg?!’. Nuk i hyj fare kësaj është apo jo gjysma, se ata që janë para drejtësisë kanë qenë pjesë e qeverisë sonë, por në mandate të mëparshme. Por edhe sikur gjysma të ishin, është kjo një arsye që ne të ulim kokën apo është një arsye shumë e fortë për të qenë shumë krenarë përpara të gjithë shqiptarëve që na dhanë besimin?”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se ishte PS që kërkoi besimin për një drejtësi që godet majtas dhe djathtas.
“Sot do të isha kokulur nëse do të kishim një drejtësi që do të godiste vetëm kundërshtarët dhe nuk do të guxonte të hynte në oborrin e shtëpisë sonë, apo brenda shtëpisë sonë për të bërë detyrën dhe punën e saj e patrazuar, e paintimiduar dhe e pashantazhuar”, tha Rama.
Kryeministri kujtoi se “jo shumë vite më parë kur nga dritaret e kryeministrisë vriteshin protestues të pafajshëm, kryeministri ndalonte drejtësinë që të thërriste aty tre policë për t’i marrë në pyetje”.
/r.e/