E Martë, 3 Nëntor 2026

PL, Haxhiu: Asnjë ndihmë ekonomike dhe pension nuk do të jetë nën 200 euro

TIRANË, 29 prill /ATSH/ Zëvendëssekretarja e përgjithshme e Partisë së Lirisë, Brunilda Haxhiu, deklaroi sot se, Aleanca për Shqipërinë Madhështore do të ndërmarrë masa të menjëhershme për përmirësimin e kushteve të jetesës së qytetarëve shqiptarë brenda 100 ditëve të para të qeverisjes.

Në një dalje publike, Haxhiu prezantoi “Paketën e Dhembshurisë”, një plan emergjent që synon zgjidhjen e varfërisë ekstreme dhe rikthimin e dinjitetit për familjet në nevojë. Ajo theksoi se ndihmat ekonomike nuk do të jenë më poshtë se 200 euro, ndërsa pensionet do të rriten me 20%.

“Gjyshet dhe gjyshërit tanë nuk e mbyllin dot muajin me pensionet aktualë. Ata meritojnë mbështetje të vërtetë dhe dinjitoze. Ne do të rimbursojmë 100% barnat për pensionistët, ashtu si në vendet europiane,” deklaroi Haxhiu.

Sipas saj, Aleanca synon që paga minimale të jetë 500 euro dhe paga mesatare të arrijë 1200 euro, në mënyrë që shqiptarët të kenë mundësi të ndërtojnë jetën europiane në vendin e tyre.

Gjithashtu, ajo shtoi se, përmes Kartës së Konsumatorit, qytetarët në minimum jetik do të përfitojnë deri në 450 euro në vit nga kthimi i TVSH-së dhe do të blejnë produkte bazë 20% më lirë.

Haxhiu u ndal edhe te çmimi i energjisë dhe naftës, duke theksuar se, “energjia nuk mund të jetë më një luks për shqiptarët. Do të vendosim çmimin në 7 lekë për kWh, ndërsa çmimi i naftës do të ulet me 35% dhe nuk do të jetë më i lartë se në Kosovë apo Maqedoninë e Veriut”.

“Ndihma dhe kujdesi do të zgjatet edhe për personat me aftësi të kufizuar, të cilët do të përfitojnë pagesa të dedikuara, shërbime të specializuara dhe mbështetje për kujdestarët e tyre”, theksoi Haxhiu.

Brunilda Haxhiu përmbylli deklaratën me një thirrje për qytetarët. “Më 11 maj votoni për programin që nxjerr Shqipërinë nga varfëria dhe nxit zhvillimin. Votoni nr. 1 – për një Shqipëri vërtet madhështore!”, tha ajo.

/r.e/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›