E Martë, 3 Nëntor 2026

Rama: Lagjja historike e Pogradecit, pol i ri turistik

TIRANË, 19 prill/ATSH/ Në qytetet e vendit po rikthehen zonat historike, të rivitalizuara, falë projekteve dinjitoze, të cilat ruajnë vlerat historike dhe arkitektonike, por njëkohësisht pasurojnë me elemente të reja hapësirat, duke i transformuar ato në pika tërheqëse për turistët e vizitorët.

Pogradeci është një prej qyteteve, ku po rilind lagjja historike, për t’u kthyer shumë shpejt në një pol të rëndësishëm turistik, duke ruajtur njëkohësisht edhe arkitekturën unike të saj; rrugët me kalldrëm, fasadat e afro 100 shtëpive me ballkonet, dritaret, grilat e drurit dhe elementë të tjerë karakteristikë.

Kryeministri Edi Rama i cili ndodhet sot në Pogradec, e nisi nga kjo lagje inspektimin e kantiereve të çelura në qytet.

Kryeministri Rama tha se “në kantierin e lagjes historike po punohet për rilindjen e saj që do ta kthejë shumë shpejt këtë zonë në një pol të ri turistik: rrugët me kalldrëm, fasadat e restauruara të afro 100 shtëpive me ballkonet, dritaret, grilat e drurit dhe elementët e tyre karakteristikë”.

Drejtori i Fondit Shqiptar të Zhvillimit, Dritan Agolli, duke i prezantuar kryeministrit projektin e rehabilitimit të zonës historike, tha se “ai është një projekt që trajton të gjithë elementët e kësaj zone, duke filluar nga struktura nëntokësore, trajtimin e ujërave të bardha, sistemin e ndriçimit tek shtrimi me pllaka guri. Dhe ajo që është më e rëndësishme është trajtimi i 97 objekteve, që janë trajtimi i çative, i fasadave, i dritareve, i grilave të drurit, të cilat rehabilitojnë, duke kthyer të gjithën në një zonë historike, në një Old Town, e cila për afërsinë që ka krijon një sinergji dhe në pjesën e turizmit”.

Ndërkohë që në qytet po zbatohet edhe projekti tjetër i trajtimit të fasadave me sistem kapotë.

Kjo lagje është hapësirë me vlera të rëndësishme historike dhe arkitekturore që dokumenton rrugën e zhvillimit historik të qytetit të Pogradecit dhe tiparet urbanistiko-arkitekturore që u formuan gjatë historisë së tij.

Pogradeci është një prej destinacioneve turistike të preferuara nga vizitorë vendas e të huaj në çdo stinë.

1 nga 5

/k.s/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›