E Hënë, 2 Nëntor 2026

Rama: Leje edhe për ndërtimin e mureve rrethuese

TIRANË, 3 tetor/ATSH-Maela Marini/ Plani i ri i masave ligjore për forcimin e kontrollit mbi territorin parashikon edhe rregulla konkrete në rastin e mureve rrethuese, të cilat në çdo rast duhet të ndërtohen me leje.

Kryeministri Edi Rama u ndal sot në problematikë, ndërsa u shpreh se “nuk mund të jetë dot Shqipëria evropiane, një vend ku muret rrethuese janë tërësisht pa asnjë lloj sensi të zhvillimi të përbashkët urban”.

“Muret rrethuese janë një problematikë më vete në këtë Republikë dhe akti që kemi kaluar, përcakton se muret rrethuese do të duhet t’i nënshtrohen rregullave tip, modeleve tip. Pa diskutim që siç merret leja për ndërtimin, merret leja dhe për murin rrethues”, u shpreh Rama.

Muret rrethuese pa leje, sipas tij, “do të duhet t’i nënshtrohen korrigjimit”.

“Duhet të adaptohen sipas modeleve tip që do t’i vënë në dispozicion bashkitë për të mos krijuar as burokraci. Ka mure rrethuese shtëpish për të cilat natyrisht procedura do të jetë mirëkuptuese dhe do t’i jepet kohë që të adaptojnë si duhet. Kurse çdo mur rrethues i bërë nëpër resorte, i bërë nëpër pallate apo nëpër godina për qëllim fitimi do prishet, i bërë pa leje kuptohet, do prishet, do shembet”, tha Rama.

Sipas tij, “nuk do të lejohen më mure rrethuese që kanë tendencë të gllabërojnë treçerekun e trotuarit”.

Një tjetër masë e marrë në kuadër të kësaj pakete ligjore, sipas kryeministrit, “është që ankimimi administrativ dhe gjyqësor nuk e pezullon ekzekutimin e vendimit përfundimtar të Autoritetit përgjegjës të Zhvillimit të Territorit”.

“Kjo është një masë shumë e rëndësishme sepse këtu ka pasur shumë spekulime dhe shumë abuzime siç ka pasur dhe shumë akte pranimi në heshtje, një sport shumë i shëmtuar i mos paraqitjes fare në gjyq i palës pushtet-lokal ose të palës një agjenci qendrore në territor. Kështu që, nuk do të ketë asnjë pezullim të ekzekutimit të vendimeve të Autoritetit përgjegjës të Zhvillimit të Territorit”, shtoi ai.

Po ashtu, Rama tha se një tjetër risi është rritja e rolit të Policisë së Shtetit si pjesë e bashkëpunimit institucional për kontrollin dhe monitorimin e territorit.

“Bashkëpunimi mes Policisë se Shtetit dhe autoriteteve të kontrollit të territorit forcohet me instrumente të rinj ligjorë dhe  jepet mundësia autoriteteve përgjegjëse, i jepet mundësia dhe pushtetit vendor më konkretisht që të ketë një ndërveprim të menjëhershëm ligjor me Policinë e Shtetit, lidhur me këtë problematikë”, shtoi ai.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›