E Hënë, 2 Nëntor 2026

Rama: Mandati i katërt për mbylljen e negociatave të anëtarësimit me BE, brenda vitit 2027

TIRANË, 11 shtator /ATSH/ Kryeministri Edi Rama, gjatë fjalës së mbajtur sot në Asamblenë Kombëtare të Partisë Socialiste, theksoi se detyra e mazhorancës në këtë mandat të katërt është më e qartë se kurrë më parë: ta çojë Shqipërinë drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Europian brenda dekadës.

“Detyra jonë si përfaqësues të shumicës në Kuvendin e Shqipërisë nuk ka qenë kurrë më e qartë dhe konkrete sesa në këtë mandat të 4-t radhazi të PS për “Shqipërinë 2030″. Tre objektivat tona madhore për Shqipërinë 2030 janë: përmbyllja e negociatave të anëtarësimit me BE brenda 27 muajve të ardhshëm, deri në fund të vitit 2027; ratifikimi i vendimit të Këshillit Europian për anëtarësimin e Shqipërisë në BE nga të gjitha 27 parlamentet e vendeve anëtare deri në fund të këtij mandati qeverisës dhe ngjitja e flamurit kombëtar shqiptar në oborrin e Bashkimit Europian, si simbol i anëtarësimit të plotë të Shqipërisë në familjen europiane, deri në fund të kësaj dekade”, tha Rama.

Rama vuri në dukje se këto nuk janë tre stacione, por tri maja që duhet të kapim në kohë.

“Këto nuk janë tre stacione të radhës. Janë tri maja historike që duhen kapur në kohë për të realizuar ngjitjen e Shqipërisë drejt BE-së, drejt shtëpisë ku ajo i përket familjes së saj natyrore europiane”, u shpreh Kryeministri.

Kryeministri theksoi se ky mision kërkon përkushtim, mund dhe punë të palodhur, dhe se në këtë proces janë angazhuar mbi 400 anëtarë të strukturave drejtuese të Partisë Socialiste dhe institucioneve të shtetit, që punojnë çdo ditë për ta bërë të prekshme ëndrrën europiane për çdo shqiptar.

“Shqipëria ka nisur ngjitjen. Tani është momenti për të qëndruar të bashkuar dhe të vendosur, për ta çuar këtë proces deri në fund për Shqipërinë europiane, për brezat që vijnë”, u shpreh Rama.

Rama tha se njerëzit e zakonshëm, i dhanë PS fuqinë më të madhe përfaqësuese ndonjëherë, të mishëruar në 83 mandate.

“Këto nuk janë tre stacione të radhës, janë tri majat që duhen kapur njëra pas tjetrës në kohë, për të realizuar ngjitjen e Shqipërisë, të familjes së saj, të fatit të shkruar të së ardhmes së saj. Kapja e tri majave nuk është nga fati apo nga Zoti. Yjet e fatit janë rreshtuar, kurrë si asnjëherë në favorin e Shqipërisë. Majat nuk kanë qenë të dukshme, por ngjitja me sukses në to, është e varur nga ne, populli shqiptar. Njerëzit e zakonshëm na dhanë fuqinë më të madhe përfaqësuese ndonjëherë, tani është radha jonë, të bëjmë tonën për t’i udhëhequr shqiptarët deri në majën e fundit”, tha Rama.

Ai vuri në dukje se këto 83 mandate, duhet të kthehen në përkushtim për qytetarët.

“53 nga 83 anëtarë e anëtare të grupit parlamentar, hyjnë për herë të parë në Kuvendin e Shqipërisë. Ne kemi më shumë deputetë e deputete të reja që hyjnë për herë të parë sesa ka deputetë gjithë trupa madhështore e humbësve fitimtarë të 11 majit. Të rinjtë e të rejat duhet të vazhdojnë të përgatiten, ne duhet t’i ndihmojmë që t’i përshtaten. Dua të besoj se e gjithë trupa e grupit parlamentar do përpiqet që besimin e zgjedhësve, ta kthejnë në përkushtim ndaj punës së përbashkët dhe individuale”, theksoi Kryeministri. /j.p/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›