Rama: Kuvendi me 101 deputetë, ndarje e re administrativo-territoriale

TIRANË, 11 shtator/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste propozoi sot reduktimin në 101 të numrit të deputetëve në Kuvendin e Shqipërisë.
Gjatë mbledhjes së Asamblesë së Partisë Socialiste, Rama u shpreh se “ky ndryshim pozitiv kushtetues duhet të jetë një objektiv i yni që përkon me vullnetin e zgjedhësve tanë”.
“Pas dhjetë legjislaturave dhe 1136 njerëzve të zgjedhur deputetë në vitet e jetës demokratike është tepria e numrit të deputetëve. Zbritja e numrit të deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë në të paktën 101 deputetë do të kishte vetëm impakt pozitiv në më shumë sesa një aspekt”, tha Rama.
Po ashtu, Rama nënvizoi se Kuvendi, i cili miraton e nxjerr ligje për të gjithë, nuk ka ende ligjin e vet.
Rama theksoi se ligji organik për funksionimin e Kuvendit duhet të jetë objektiv.
“Kuvendi nuk ka status, nuk ka një administratë të mbështetur sa dhe si duhet, madje është pa shtëpi, që t’i garantojë praktikën dhe estetikën e një shteti anëtar të BE-së”, shtoi Rama.
Ndërkaq, Kryeministri theksoi se “pas dhjetë vitesh nga reforma territoriale, koha ka sjellë nevojën e një rishikimi të ndarjes territoriale”.
Ndaj, ai kërkoi ngritjen, pa humbur kohë, të një komisioni të posaçëm parlamentar për të nisur menjëherë nga puna analitike duke reflektuar ndryshimet e këtyre viteve, me fokusin kryesor, përgatitjen në nivelin vendor për Shqipërinë në BE në vitin 2030.
“Prandaj duhet të ngremë pa humbur kohë komisionin e posaçëm parlamentar, për të nisur menjëherë nga puna analitike në funksion të thellimit të kësaj reforme duke reflektuar ndryshimet shumë domethënëse të këtyre viteve që nga demografia, tek teknologjia, me fokus kryesor gjithmonë, mire përgatitjen ne nivelin vendor për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Europian, ku duhet të kemi një cilësi të re të proceseve të qeverisjes vendore”, tha Rama.
Komisioni i kësaj reforme, sipas tij, “do të duhet të ngrihet dhe të punojë me të njëjtin intensitet si komisionet e përhershme”.
“Kjo duke filluar nga organizimi i një konsultimi të gjerë publik e patjetër, edhe duke i ftuar forcat e tjera parlamentare të mirësevijnë për të dhënë kontributet e tyre, po deshën natyrisht. Ne do të jemi gjithnjë gati t’i dëgjojmë të gjithë në respekt të atyre që i kanë zgjedhur, por ne nuk do të jemi asnjëherë të gatshëm të presim këdo qoftë, as edhe një minutë nëse nuk do të dojë të punojë se bashku qoftë për këtë reformë dhe qoftë për çdo reformë”, tha Rama
/j.p/r.e/