Rama: Mbështetje nga Izraeli për prodhimin “Made in Albania” të sistemeve të mbrojtjes

TIRANË, 26 janar/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama siguroi sot se Shqipëria dhe Izraeli do të vazhdojnë të thellojnë bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes, sigurisë dhe sigurisë kibernetike si dhe kundër terrorizmit.
Në kuadër të vizitës në Izrael, kryeministri Rama u prit në një takim nga kryeministri Benjamin Netanyahu, me të cilin dolën edhe në një deklaratë të përbashkët për mediet.
Në deklaratë, Rama shprehu mirënjohjen e thellë ndaj Izraelit për mbështetjen kritike gjatë sulmit kibernetik masiv të Iranit kundër Shqipërisë.
Po ashtu, Kryeministri kujtoi se ashtu si Izraeli, “Shqipëria nuk ka asnjë marrëdhënie diplomatike me Iranin, një vend i madh, me civilizim të jashtëzakonshëm, që është shndërruar në një ishull terri nga urrejtja e verbër kundër çdo drite”.
“E ndërsa lutemi për shpirtrat e panumërt që kanë humbur ditët e fundit në zjarret e Khomeinizmit mbajmë shpresë dhe bindje se ditët e vrasësve të Teheranit po vijnë drejt fundit”, tha Rama.
Nga ana tjetër, Kryeministri theksoi se “mirëpresim rritjen e tregtisë dhe të investimeve mbështetur në ekspertizën teknologjike të Izraelit dhe sidomos marrëveshjet që po arrijmë ditë pas dite për të ndërtuar bashkërisht një prodhim të ri të mbrojtjes e sistemit ushtarak”.
“Falë partneritetit me Izraelin, po rikrijojmë kushtet për prodhimin ‘Made in Albania’ të sistemeve të mbrojtjes, që të shtrihet edhe jashtë vendit. Në këtë frymë të bashkëpunimit në rritje do të përurojmë nesër hapjen e dhomës së tregtisë në Jerusalem, që synon të forcojë lidhjet e biznesit dhe të nxitë Shqipërinë e mundësitë e saj si një vend që po zhvillohet fort”, u shpreh më tej Rama.
Duke u ndalur te turizmi dhe shkëmbimet midis njerëzve, Rama vlerësoi se “më së fundi, po rriten ashtu siç duhet, mbështetur nga fluturimet e drejtpërdrejta midis Izraelit dhe Shqipërisë”.
“Dua që të ftoj ngrohtësisht të gjithë popullin hebre të vizitojë Shqipërinë e të zbulojë një tokë të jashtëzakonshme, jo vetëm për nga natyra, por për nga shpirti i saj, që siç një vëzhgues hebre e përshkruante përpara Luftës së Dytë Botërore, është një vend ku hebrenjtë mund të jetonin hapur, të sigurt dhe me dinjitet të plotë”, shtoi Kryeministri.
/j.p/r.e/