E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Mbi 1500 aplikime për programin start-up, në çdo shkollë laboratorë smart

TIRANË, 5 maj/ATSH/ Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një bashkëbisedim me të rinj në Gjirokastër për të folur mbi teknologjinë dhe risitë e saj, si dhe mundësinë për të aplikuar në programin e startup-eve, për të cilin qeveria do të rrisë financimin, duke shtuar paralelisht edhe laboratorët smart në shkolla, në mënyrë që të gjithë të kenë akses që herët ndaj teknologjisë.

Në fjalën e tij Kryeministri Rama tha se “ka pasur zhvillime pozitive sa i përket qasjes së më të rinjve tek inovacioni dhe fakti që ishin dy shkolla të Gjirokastrës, të cilat morën çmim në Festivalin Kombëtar të Inovacionit të organizuar për herë të parë nga Ministria e Arsimit, flet vetë”.

Por, vijoi Rama, është e nevojshme që duhet të jemi të gjithë së bashku të vetëdijshëm për faktin që bota e inovacionit ndryshon çdo orë tashmë, jo çdo ditë.

“Asgjë nga çfarë kemi bërë deri dje ose deri sot në mëngjes, nuk mjafton për çfarë duhet të bëjmë sot deri në darkë, në kuptimin e domosdoshmërisë për të investuar më shumë energji, forca dhe më shumë financa”, tha Rama.

Kreu i qeverisë u shpreh se “kemi pasur një rrugë jo të lehtë në këtë aspekt, por tanimë shikojmë që janë hapur disa shtigje, të cilat po rrihen gjithnjë e më shumë kryesisht nga të rinjtë dhe për shembull me programin tonë të start-up e kemi nisur me vetëm 40 aplikime dhe sot, jo shumë vite më pas, kemi rreth 1500 dhe më shumë aplikime”.

“Kjo na ka vënë në pozitën që të ndërhyjmë përsëri për të rritur financimin, sepse patjetër që do të duhet të bëjmë një seleksionim përmes mekanizmave që janë ngritur për këtë punë dhe jo vetëm që do të duhet të shtojmë financimin për programin tonë të start-up por të gjejmë rrugët që të rrisim financimin edhe sa i përket atyre që janë ende në shkollë apo në universitet, pa pritur që të mbarojnë shkollën dhe universitetin”, tha Rama.

Kryeministri shprehu besimin se kjo do të fillojë me festivalin e ardhshëm, ku përveç çmimeve dhe vlerësimeve honorifike të shoqëruara me kompjutera, do të duhet të gjendet mënyra se si të financohen ato prototipe të paraqitura që kanë interes për t’u shtjelluar më tutje, në mënyrë që studentët të mendojnë ndryshe jo vetëm për të fituar një garë, por për të krijuar një produkt që të jetë i vlefshëm për tregun.

Kreu i qeverisë vuri në dukje se “ajo që ka sjellë teknologjia është një përmbysje e gjithë hierarikisë së vlerave që krijohen në vite në sistemin tradicional të progresit linear, duke na provuar se vajzat e djemtë mund të jenë inovatorë të jashtëzakonshëm në rrugën e progresit eksponencial që është një tjetër trajektore në progresin më të cilin jemi mësuar në histori”.

Rama tha se qeveria do të vazhdojë të plotësojë të gjithë sistemin e shkollave me laboratorët SMART në mënyrë që t’u jepet mundësi fëmijëve që të kenë akses në teknologji që në hapat e parë të shkollës.

Nga ana tjetër, shtoi Rama, “do të punojmë shumë fort për të investuar më shumë në inteligjencën artificiale, në qendrat e të dhënave digjitale etj.”.

/k.s/r.e/a.f/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›