Rama: Na duhet vullnet i ri, si të ishte mandati i parë i PS-së

TIRANË, 11 shtator/ATSH/ Kryeministri Edi Rama, njëherësh edhe kryetari i Partisë Socialiste, tha sot se Shqipëria duhet të drejtohet me të njëjtën aftësi dhe energji, si të ishte mandati i parë i Partisë Socialiste.
Nga punimet e Asamblesë së Partisë Socialiste, Rama tha se 83 mandatet që dhanë shqiptarët në zgjedhjet e 11 majit për PS, janë tregues se nuk ka asnjë zgjedhje tjetër përveçse drejtimi i Shqipërisë me energji dhe forca të reja.
“Duhet të kërkojmë te vetja një domosdoshmëri të brendshme, një shtysë, një forcë nxitëse për ta parë çdo gjë që kemi bërë jo me syrin e kënaqur të atij që e ka bërë vetë, por me një sy tjetër. Na duhet syri i atij që e kanë ngarkuar për ta bërë si duhet një punë të bërë jo mirë, jo mjaftueshëm, jo kënaqshëm nga dikush tjetër”, tha Rama.
Kryeministri Rama u shpreh se duhet një vullnet i ri për të sjellë në mandatin e katërt, një qasje, një forcë, një aftësi, si të ishte i pari, “duke nxjerrë nga vetja një vete të re. Nuk na mjafton vetëm një grup i ri parlamentar për të bërë ca ligje të reja, apo një qeveri e re për ca ligje të reja, por një qasje e re ndaj problemeve të vjetra dhe sfidave të reja”.
“Një forcë kompakte që funksionon me të njëjtën ambicie dhe me disiplinën e një skuadre, kampione. Skuadrat kampione janë fuqia e talentit dhe disiplinës që ushqehet çdo ditë nga ambicia për t’u bërë më të fortë. Na duhet kjo mendësi në çdo fushë, qeveri, parlament, në çdo bashki. Një makineri reformash, projektesh, punësh të mëdha, të vogla, inovacione teknologjike, me thithje të burime të mira njerëzore, brenda dhe jashtë vendit”, vijoi ai.
Kreu i qeverisë, tha se kjo është mënyra se si ai vetë, prej tre muajsh po stërvitet me këtë mendësi të re për mandatin e katërt.
“Është e vështirë t’i shoh, t’i gjykoj arritjet e derisotme, nga një kënd i kundërt me këndin ku i kam parë tërë këto vite: nga këndvështrimi i një opozitari, komplet ndryshe nga ata që bëjnë opozitën e pasuksesshme ndaj nesh, që nuk ka ardhur nga hëna të shpëtojë Shqipërinë nga ne, as nuk ka qilima fluturues për t’ia shitur shqiptarëve që të shkojnë në hënë. Këtu ka shokë dhe shoqe të një rruge të gjatë, që dua t’u them që kush nuk është gati ta përdorë me një sy të ri, kritik, sfidues pasqyrën ku shikon veten si pjesë e familjes sonë, sipas vendit që ka pasur në tryezën e përbashkët të kësaj trupe udhëheqëse, duhet të stërvitet shumë fort, pa humbur kohë, sepse nga të gjitha gjërat më kryesorja që nuk kemi është koha”, vijoi ai.
Rama iu drejtua edhe deputetëve të rinj që do të ulen për herë të parë në parlament, duke u thënë se nëse duan jo vetëm një mandat katërvjeçar, por përtej kësaj, duhet të ruhen nga “tabiatet” e vjetra, dhe ta vlerësojnë mandatin e tyre si diçka që duhet ta fitojnë përditë dhe të jenë ata të parët, kudo ku është detyra.
/e.i/j.p/r.e/