BRUKSEL – BE miraton në parim qendrat e deportimit jashtë unionit

BRUKSEL, 1 qershor /ATSH-DPA/ – Bashkimi Evropian ka hapur rrugën për krijimin e qendrave të deportimit jashtë territorit të bllokut, pas një marrëveshjeje të përkohshme të arritur mes Parlamentit Evropian dhe shteteve anëtare.
Marrëveshja u arrit sonte nga përfaqësuesit e Parlamentit Evropian dhe qeverive të vendeve të BE-së, njoftoi Qiproja, e cila mban aktualisht presidencën e radhës së Këshillit të Bashkimit Evropian.
Sipas marrëveshjes, azilkërkuesit, të cilëve u është refuzuar kërkesa dhe që nuk mund të kthehen në vendet e origjinës, mund të transferohen në të ashtuquajturat “qendra kthimi” jashtë BE-së.
Masa do të zbatohet në rastet kur vendi i origjinës refuzon të pranojë kthimin e shtetasve të vet ose kur një shtet anëtar i BE-së nuk mban marrëdhënie diplomatike me vendin përkatës.
Megjithatë, marrëveshja duhet ende të marrë miratimin zyrtar nga seanca plenare e Parlamentit Evropian dhe nga shtetet anëtare të BE-së përpara se të hyjë në fuqi. /Ad.Ab./