REPUBLIKA ÇEKE – Fillojnë zgjedhjet legjislative, me Babis pretendentin kryesor për fitimin e tyre

PRAGË, 3 tetor /ATSH-AFP/ – Qendrat e votimit u hapën sot në Republikën Çeke për zgjedhjet legjislative dyditore, ku i vetëshpalluri trumpist, Andrej Babis është në krye, por pa asnjë siguri se do të jetë në gjendje të formojë shumicën.
Një rikthim i mundshëm në pushtet i ish-kryeministrit miliarder, i cili dëshiron të ulë ndihmën për Ukrainën, mund ta shohë Republikën Çeke të afrohet me qëndrimet e Hungarisë dhe Sllovakisë, duke paralajmëruar marrëdhënie të vështira me Bashkimin Evropian.
Ish-mbështetës i ngushtë i presidentit francez, Emmanuel Macron dhe pro evropian, ish-kryeministri çek Andrej Babis, partia e të cilit është në krye të zgjedhjeve legjislative, tani pretendon të jetë edhe një pacifist duke refuzuar çdo ndihmë ushtarake për Ukrainën.
Themeluesi 70-vjeçar i lëvizjes gjithëpërfshirëse ”Aksioni i qytetarëve të pakënaqur” shpreson të hakmerret më 3 dhe 4 tetor, pas katër vitesh në opozitë.
Kur ky miliarder ishte në pushtet midis viteve 2017 dhe 2021, ai sigurisht që ishte kundër Marrëveshjes së Gjelbër dhe politikës së azilit të BE-së, por ai mbeti një anëtar besnik i bllokut.
Sot, ai i është bashkuar kampit sovranist.
Vitin e kaluar, ish-komunisti me origjinë sllovake bashkëthemeloi me hungarezin Viktor Orban grupin parlamentar “Patriotët për Evropën”, i cili mirëpret lëvizjet e ekstremit të djathtë, përfshirë ”Rassemblement National” të Francës./ a.jor.