Rama: Në 2026, synojmë sistemin e parë botëror të prokurimit me IA

TIRANË, 25 tetor /ATSH/ Nga Berlini, ku ndodhet për të marrë pjesë në Global Dialogue (BGD), forumi ndërkombëtar i nivelit të lartë që zhvillohet çdo vit në kryeqytetin e Gjermanisë, kryeministri Edi Rama foli për rolin e Inteligjencës Artificiale për përshpejtimin e rrugëtimit të integrimit të Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian.
Gjatë bashkëbisedimit me moderatorin, Ali Asllan, Rama u pyet se nga është frymëzuar për krijimin e ministres së Shtetit për Inteligjencën Artificiale, Diellën.
Rama tha se nevoja për të ecur më shpejt drejt BE-së e ka çuar qeverinë shqiptare drejt zgjidhjeve inovative.
Kreu i qeverisë foli për bashkëpunimin me bashkëthemeluesen e “OpenAI”, Mira Muratin, për të bërë të mundur përdorimin e inteligjencës artificiale për të ndihmuar Shqipërinë në procesin teknik për transpozimin e ligjeve.
“Siç themi në Shqipëri, nevoja është mbret. Për hir të nevojës kërkon zgjidhje për të cilat ndoshta nuk do të kishte shkuar kurrë mendja. Nuk e di sa e njihni Mira Muratin është bashkëthemelues e Open AI. Ajo është shqiptare. Ka nisur një tjetër sipërmarrje dhe kur doli Chat GPT doli emri i saj, e mora në telefon dhe e pyeta a do të dojë të ndihmojë Shqipërinë të ecte më shpejt drejt BE-së? Besoj vërtetë se kemi një shans. Ajo më tha mirë! I tregova për këtë punë të jashtëzakonshme që vendet që duan të bëhen pjesë BE-së duan të bëjnë aspektin teknik që nënkupton transferimin e gjithë korpusin ligjor të BE-së në korpusin ligjore të vendeve”, tha Rama.
Rama tha se se falë bashkëpunimit mes ekipit të Muratit dhe kompanisë Microsoft, Shqipëria po e realizon këtë proces me ndihmën e inteligjencës artificiale.
“Sa për t’ju dhënë një ide për Shqipërinë nënkuptonte transpozimi dhe hartimi i 400 mijë, ligje dhe akteve ligjore, një proces që shumë vende para nesh u është dashur vitet ta bëjnë duke angazhuar një ushtri përkthyesish e juristësh për të hartuar praktikisht e pastaj për të bërë hartimin përfundimtar. Kroacisë ju desh 7 vite për të bërë këtë punë. Po flas për aspektin teknik dhe jopolitik. Mira tha duket interesante dhe filloi të punonte me ekipin e saj dhe ekipin tonë të agjencisë së digjitalizimit dhe më pas edhe Microsoft u bë pjesë.
“Në fakt sot që flasim falë kësaj gruaje kemi të gjitha mjetet që po punojnë për të përfunduar të gjithë transpozimi brenda aftit të 2027 dhe është një lloj magjie se çfarë bëhet me ligjet dhe të gjitha. Kur filloi saktësia ishte 85%, pra na duhej edhe puna e njeriut ndërkohë që sot saktësia është 90 e ca %”, tha Rama.
Kryeministri shtoi se qeveria po punon edhe për të krijuar sistemin e parë të prokurimit publik të mbështetur në Inteligjencë Artificiale në botë.
Sipas Ramës projekti me Microsoft, pritet të lehtësojë ndjeshëm pjesëmarrjen e kompanive në tendera publikë dhe të automatizojë proceset.
“Detyra e dytë që i kemi vënë vetes është që të kemi sistemin e parë të prokurimit mbështetur në Inteligjencën Artificiale në botë. Ka sot pjesë të tij që janë të mbështetura në Inteligjencën Artificiale, por nuk është akoma në qasjen që ta bëjë sistemin e prokurimit plotësisht inteligjencë artificiale. Hapi i fundit vuloset nga njerëzit. Këndvështrimi ynë është se vendimi përfundimtar gjithmonë duhet tu takojë njerëzve jo Inteligjencës Artificiale. Po punojmë me Microsoft-in dhe e shohim me shumë optimizëm.
“Pra kjo do të nënkuptonte që për të shkuar drejt prokurimit publik të gjitha kompanitë do ta kishin shumë më të lehtë. Kompanitë do të kishin shumë më pak punë për të bërë, për të përgatitur ofertën e tyre dhe çdo gjë për ta që dihet publikisht xhiro e tyre numri i punonjësve, vëllimet, kapacitetet historiku i tyre, do të jetë e regjistruar në mendjen e saj dhe ata thjeshtë duhet të ofrojnë zgjidhjet e tyre çmimet e tyre dhe me radhë”, tha Rama.
Rama shtoi se shpreson që kjo detyrë të përfundojë në fund të 2026.
/m.q/a.f/