E Martë, 3 Nëntor 2026

BRUKSEL – BE me një ‘plan B’ nëse Trump tërhiqet nga bisedimet për paqen në Ukrainë

BRUKSEL, 30 prill /ATSH/- Bashkimi Evropian po përgatit një “plan B” për të mbajtur sanksionet ekonomike kundër Rusisë nëse administrata Trump braktis bisedimet e paqes në Ukrainë dhe kërkon afrim me Moskën, tha sot përfaqësuesja e lartë e BE-së për politikën e jashtme dhe të sigurisë, Kaja Kallas, sipas “Financial Times”.

“Ne po shohim sinjale se ata mund të tërhiqen nga bisedimet për paqen në Ukrainë dhe të mos përpiqen të arrijnë një marrëveshje me rusët – sepse është e vështirë”, tha ajo.

“Ekziston edhe një plan B, nëse kjo ndodh”, tha ajo duke shtuar se bisedimet ishin duke vazhduar me Uashingtonin dhe partnerë të tjerë ndërkombëtarë – për të siguruar që regjimi i sanksioneve perëndimore të mbahej në fuqi.

Deklarata e Kallas vjen pasi javën e kaluar dolën detaje të një propozimi paqeje të SHBA-së që përputhet kryesisht me interesat dhe kërkesat e Putinit, duke përfshirë qëndrimin e Ukrainës jashtë NATO-s dhe njohjen e Krimesë si territor rus.

Trump dhe sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio kanë kërcënuar se do të largohen plotësisht nga bisedimet – nëse marrëveshja nuk materializohej së shpejti, pa asnjë tregues nëse SHBA-ja do të vazhdonte të financonte luftën e Ukrainës kundër forcave pushtuese të Rusisë.

Presidenti amerikan ka sugjeruar një lloj momenti vendimtar në bisedimet Rusi-Ukrainë që do të vijë së shpejti, megjithëse ka dhënë pak të dhëna për fushëveprimin ose detajet.

Putini, i cili deri më tani ka hedhur poshtë propozimet e SHBA-së për paqe, njoftoi të hënën se Rusia do të ndalonte luftimet për tre ditë, muajin e ardhshëm duke i kërkuar Ukrainës të bënte të njëjtën gjë.

Pasi Putini në shkurt hodhi poshtë planin e SHBA-së për një armëpushim të gjerë 30-ditor, administrata Trump nxiti armëpushime më të kufizuara të përqendruara në infrastrukturën energjetike dhe korridoret e transportit detar në Detin e Zi – si dhe një marrëveshje të veçantë dypalëshe me Ukrainën mbi të ardhurat e ardhshme nga nxjerrja e mineraleve.

Bisedimet me të dyja palët janë duke vazhduar. Nuk është e qartë nëse Kongresi dhe udhëheqësit evropianë do ta pranojnë marrëveshjen, e cila kërkon që Ukraina të bëjë lëshime territoriale.

Trump tha gjatë javës, se nuk ishte “i kënaqur” me sulmet ruse ndaj Kievit – duke i thënë Putinit te ndalonte luftimet.

Ukraina e hodhi poshtë propozimin treditor të Putinit për armëpushim, i cili do të zgjaste nga 8 deri në 11 maj, duke përkuar me përkujtimet e Ditës së Fitores në Luftën e Dytë Botërore më 9 maj.

David Kramer, drejtor ekzekutiv i “Institutit George W. Bush”, shprehu njëfarë shprese se Trump po fillonte të kuptonte se faji për luftën dhe mizoritë e lidhura me të i takonte drejtpërdrejt Putinit. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›