Rama: Ne duhet të kapim trenin e historisë, të çojmë Shqipërinë në BE

TIRANË, 9 prill /ATSH/ Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste, gjatë një takimi sot me Asamblenë e PS-së së Durrësit, theksoi rëndësinë e mbështetjes për një mandat më të fortë në kuadër të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
“Fati i ka buzëqeshur shqiptarëve pasi për herë të parë ne gjendemi në një pozitë ku të mëdhenjt që na duhen i kemi të gjithë me vete dhe ndërkohë, kur ne duhet të materializojmë një ëndërr të vjetër, që ka qenë ëndrra e të gjithë brezave, për ta shkëputur Shqipërinë përfundimisht nga pika ku në vazhdimësi jemi gjendur në vështirësi të mëdha historike dhe për ta pozicionuar në anën e Europës edhe zyrtarisht jo vetëm gjeografikisht”, tha Rama.
Ai theksoi gjithashtu se sot Shqipëria duhet të vrapojë për të mos e lënë të mbyllet derën e Europës që është hapur.
“E përsërisja vazhdimisht, që na duhet një mandat më i fortë se ai që kishim për ta bërë realitet objektivin historik të Shqipërisë në BE. Sot Shqipëria duhet të vrapojë për të mos e lënë atë derë që na është hapur. Është hapur një derë që s’ka qenë kurrë hapur realisht. Duhet të bëjmë çdo gjë që të mos e lëmë derën të mbyllet pa hyrë brenda”, deklaroi Rama.
Kreu i qeverisë kërkoi mbështetjen për zgjedhjet e ardhshme.
“Na duhet të mbështesim Partinë Socialiste në zgjedhjet e ardhshme që janë më shumë se kurrë zgjedhje politike. Nuk janë thjeshtë zgjedhje vendore. Duhet që PS të jetë shumë e vetëdijshme se fati e ka dashtë që të na bjerë ne në kurriz një gur kaq i madh për ta ngjitur në ato metrat e fundit dhe për ta vendosur në majë, duke e vulosur prezencën e Shqipërisë në BE”, deklaroi Rama.
Sipas tij, kjo është detyra që ka sjellë “rrota” e historisë dhe PS duhet të bëjë vetëm atë që i kërkohet.
“Ta bëjmë këtë gjë realitet. Ne duhet të kapim trenin e historisë, patjetër”, deklaroi Rama.
/r.e/a.f/