E Martë, 3 Nëntor 2026

Rama: Ne kemi projeksione financiare mbi analiza ekspertësh, jo përralla me buf dhe Latif

TIRANË, 1 maj/ATSH/ Kryeministri Edi Rama tha sot se projektet e realizuara deri tani nuk janë video 3D dhe nëse Shqipëria do të ishte ajo që ishte kur Partia Socialiste mori detyrën, nuk do të vinin 12 milionë turistë, por do iknin edhe ata që dikur vinin për patriotizëm.

Kryeministri Edi Rama u është përgjigjur sot drejtpërdrejt pyetjeve të adresuara në platformat sociale në rubrikën “Sy m’sy” duke thënë se pasaporta evropiane nuk është një copë letër apo një variant i ri i pasaportës që jep shteti shqiptar. Rama u shpreh se “nuk jemi në kushtet kur thjesht do ndërrojmë pasaportë, apo një dokument udhëtimi me një tjetër”.

“Pasaporta që kemi sot është një dokument udhëtimi që na lejon të qarkullojmë në BE, por që kur hyjmë në kufi na vendos në korridorin e posaçëm. Ata që nuk janë qytetarë të Evropës dhe ne që aty hyjmë si një popull dhe si qytetarë të dorës së dytë në Evropën ku jemi ndër popujt më të vjetër dhe që jetojmë në zemër të kontinentit”, tha Rama.

Një komentues i shkruan Kryeministrit që t’i lërë batutat për bufin, por të shihet se çfarë është bërë në 12 vite.

Rama tha se këto që fliten sot për Shqipërinë 2030 nuk janë si programi i bufit apo i Latifit, por projeksione të mbështetura në analizat e ekspertëve të Ministrisë së Financave dhe ekspertëve ndërkombëtare me të cilët punon qeveria shqiptare.

Ndër të tjera, Rama theksoi se prej kohësh me të në Kryeministri punon kryekëshilltarja ekonomike e Kancelares gjermane dhe një profesor, drejtues i qendrës për zhvillimin ndërkombëtar të Harvardit. “Për të përmendur dy nga të tjerë që ne i konsultojmë herë pas herë, këto janë  objeksione financiare, nuk janë përralla me mbret a me buf, as me Latif”, vijoi ai.

Një tjetër komentues shkruan që populli ka nevojë për kandidat të ri, “boll me të vjetrit se janë bërë bajat”.

“Kandidati më i ri dhe më i vjetër këtu jam unë, në kuptimin e energjisë dhe eksperiencës. Dhe partia më e re dhe më vjetër është PS dhe në listat e PS në çdo qark gjen më të rinjtë dhe ata më me eksperiencë. Kjo teoria duhet një kandidat i ri pa parti mbrapa, pa struktura, pa asgjë vetëm imitacione të një partie që ishte ndjesë pastë e treta e vërteta dhe që u bë barra dhe halli i madh i politikës shqiptare nuk ka nevojë Shqipëria. Nuk ka nevojë për këto të tjerat të vërtetat, që në fakt janë vetëm shëmbëlltyra që kërkojnë të hyjnë në valle dhe pastaj bëhen grabitqarë”, tha Rama.

Një tjetër komentues, i kërkon Kryeministrit që të flasë për pasaportën evropiane dhe jo për investime me video 3D.

“Prandaj kam marrë me vete dhe në çdo qark po tregoj investimet që janë bërë, që kush do t’i shohë, i sheh dhe kush do t’i dëgjojë, i dëgjon. Nëse do ishin vetëm video në 3D dhe Shqipëria do ishte ajo që ishte ajo kur ne morëm detyrën nuk do vinin 12 milionë turistë, po do kishin ikur dhe ata që vinin atëherë për patriotizëm. Pasaporta evropiane nuk është një copë letër, nuk është një variant i ri i pasaportës që jep shteti shqiptar. Nuk jemi në kushtet kur thjesht do ndërrojmë pasaportë, apo një dokument udhëtimi me një tjetër. Pasaporta që kemi sot është një dokument udhëtimi që na lejon të qarkullojmë në BE, por që kur hyjmë në kufi na vendos në korridorin e posaçëm”, pohoi Rama, teksa nënvizoi faktin se është ndërtuar edhe aeroporti i Kukësit, sipas të gjitha standardeve.

Sipas Kryeministrit, ky është një aeroport që operohet nga privati dhe ka nevojë për marrëveshje dhe linja që të fluturojnë dhe së shpejti do vendosen fluturime që do ta fusin pak nga pak në punë. “Nga pikëpamja financiare është në një situatë fillimi që nuk është e kollajtë për kompanitë. Një aeroport i ndërtuar me standarde ndërkombëtare, i certifikuar ndërkombëtarisht dhe operatori duhet të vendosi fluturimet në bazë të marrëveshjeve që do të krijojë. Ty nuk të ka kushtuar asnjë kokërr leku, nga një fushë me plehra, është një aeroport ndërkombëtar dhe më herët se vonë do të jetë në funksion”, cilësoi Rama.

Kryeministri iu përgjigj komentit të një tjetër qytetari që i shkruan “boll më 12 vjet”, ndërsa i tha se nuk po kërkon asgjë për veten e tij apo karrigen ku është ulur.

“Këtu është misioni im dhe i PS që të ftoj ta bësh dhe misionin tënd që të anëtarësojmë Shqipërinë në BE. Për sa i përket viteve, numëro sa kanë ndejtur jo një, por më shumë kancelarë në Gjermani dhe pyet po ata janë në diktaturë apo janë popull çyryk. Nuk jetojnë në diktaturë dhe nuk janë popull çyryk, siç i bëjnë ata që duke mu hedhur mua nëpër ato moçalet mediatike pse bëj një batutë dhe them gjysma e burrave janë çyryk dhe kjo batutë ka një të vërtetë brenda kur një pjesë e madhe e burrave preferojnë kënetën. Të thoshin nuk e duam Edi Ramën nuk e duam PS, po votojmë Stamo Dumon në rregull po kënetën përsëri? Politikisht, patriotikisht është skandaloze, evropianisht është skandaloze, është turp. Të mendosh që Shqipëria mund të përfaqësohet përsëri nga këneta”, tha Rama. /j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›