E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Nëse investitorët largohen nga Zvërneci, Shqipëria rrezikon të humbasë për vite besimin e tregut ndërkombëtar

TIRANË, 1 qershor/ATSH/ Kryeministri dhe kryetari i PS, Edi Rama deklaroi sot se Shqipëria duhet të zgjedhë zhvillimin e qëndrueshëm dhe investitorët e mëdhenj ndërkombëtarë për projektin në Zvërnec, duke paralajmëruar se largimi i tyre do të dëmtonte imazhin e vendit për shumë vite.

Gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të Partisë Socialiste, në kryesinë e Kuvendit, Rama tha se investitorët kanë lidhur marrëveshje me markat më të njohura ndërkombëtare të hotelerisë dhe turizmit.

“Sot që flasim investitorët kanë marrëveshje me “Aman Hotel”. “Cheval Blanc” është brandi më ekskluziv sot, i cili është në Paris, Venecia dhe do të vijë edhe në Vlorë, nëse së bashku do t’i sigurojmë mirëseardhjen. Nëse do të vazhdoni edhe ca ditë kështu, e dini çfarë do të ndodhë? Do të ndodhë tragjedia e Porto Montenegro, por në përmasa të kësaj kohe”, tha Rama.

Ai solli si shembull projektin Porto Montenegro në Malin e Zi, duke thënë se investitorët që dikur kërkonin të investonin në Shqipëri përfunduan duke investuar në vendin fqinj.

“Porto Montenegro, që bëri fatin e Malit të Zi, u ndërtua nga dikush që u sorollat nëpër Shqipëri me vite dhe e hidhnin e prisnin, donte të bënte portin e Durrësit dhe vajti në Mal të Zi. Sot Mali i Zi i ka pagat më të larta dhe të ardhurat më të larta  për frymë në rajon, falë atyre investimeve dhe nuk pati frikë t’i bëjë dhe nuk ju vuri shkelmin në fyt investitorëve”, deklaroi Rama.

Kryeministri tha se qytetarët duhet të zgjedhin nëse duan të mbeten pas vendeve të rajonit apo ta tejkalojnë konkurrencën në turizëm.

“Çfarë do të zgjedhim? Do të zgjedhim të shikojmë Malin e Zi nga pas apo do të zgjedhim të parakalojmë edhe Malin e Zi dhe të tjerët që janë të shqetësuar për këtë projekt? Është zgjedhja juaj, ma thoni dhe unë adaptohem se unë jam këtu me votën tuaj”, u shpreh Rama.

Ai deklaroi se nuk qëndron në politikë “për të vegjetuar”, por për të realizuar vizionin për Shqipërinë.

“Po unë këtu nuk rri të vegjetoj. O do ta bëjmë Shqipërinë me atë vizion për të cilin më keni mbështetur ose më thoni se keni një vizion tjetër dhe do të shkoni me Sazo Gurin dhe Arlind “dritëgjatin”. Jam OK unë”, tha Rama.

Kryeministri u ndal dhe te rëndësia e krijimit të klimës së duhur për investitorët ndërkombëtarë.

“Mos harroni një gjë: nëse ne e harrojmë që rolin kryesor që kemi në këtë proces dhe rolin kryesor që kemi ne si Shqipëri dhe si shqiptarë për ta bërë Shqipërinë siç duam, është të krijojmë klimën e duhur dhe mikpritjen e duhur për investitorët dhe nëse këta investitorë largohen, nuk është problemi që nuk do të bëhet Zvërneci. Problemi është se nuk do të vijë më njeri për disa kohë që do të thonë se edhe kur ata nuk e çanë dot atje, me ata s’merremi vesh. Këto janë të vërtetat që po jua them copë sot, siç i ndjej. Mendojini gjërat”, deklaroi Rama.

Ai tha se Shqipëria duhet të zgjedhë zhvillimin e qëndrueshëm me investitorë të nivelit më të lartë ndërkombëtar.

“O do të zgjedhim zhvillimin e qëndrueshëm me investitorë të ekselencës, se nuk e mbarova numrin e brandeve që kanë bërë marrëveshjen: Rosewood Hotels, Mandarin Oriental, Atlantis. Atlantis nuk ka ardhur në Europë. Atlantis është vetëm në Dubai dhe më duket në Kinë. E doni ta sillni në Europë? Silleni në Vlorë. S’doni? Nuk them pa problem, se është problem shumë i madh, por unë me forcë kundër jush nuk jam i interesuar”, tha Rama.

Ai shtoi se përballë kundërshtarëve politikë do të vazhdojë betejën, por jo kundër qytetarëve.

“Me forcë kundër atyre që me forcë na kanë qëndruar përballë ne dhe Shqipërisë. Po! Deri në fund, pa asnjë problem. Por me forcë kundër jush. Jo! Që t’ju shoh ju të shkoni pas Berishës, të Fatos Lubonjës që jetën me makthet e mafies që kur u nda nga unë, unë nuk e pranoj. Respekt për atë si person, për vuajtjet e tij të mëparshme. Por mafien që ai më tregon mua, ma tregon sepse është njëlloj si ata që i tregonin atij armikun e popullit. Njëlloj! E njëjta gjë!”, deklaroi Rama.

Kryeministri tha se i duron sulmet personale ndaj tij dhe familjes së tij, por jo pengimin e vizionit për Shqipërinë.

“I duroj të gjitha ato që më thonë perversët, që për fat të keq kanë rënë të jenë kundërshtarë të kësaj partie dhe të mitë personalisht. Por i duroj jo se i pranoj. Duroj dhunë mbi kockat e tim eti, duroj dhunë mbi fytyrën e gruas sime dhe fëmijëve të mi. Po, sepse mendoj se jam këtu për ju dhe me ju. Nëse edhe ju mendoni si ata, ma thoni dhe vazhdoni me këdo tjetër që ju dëshironi”, tha Rama.

Ai theksoi se beteja e tij është bashkë me qytetarët dhe jo kundër tyre.

“Mua nuk ka nevojë të më mundni miqtë e mi. Ju jo. Mua nuk ka nevojë të më mundni fare, unë nuk e kam me ju betejën. Unë betejën e kam bashkë me ju”, u shpreh Rama.

Kryeministri deklaroi se projekti ende nuk është dorëzuar dhe studimi mjedisor nuk ka përfunduar, por sipas tij ajo që është parë deri tani nga investitorët e bën një projekt unik për Europën dhe Mesdheun.

“Ndërkohë që siç ju thashë projekti akoma nuk është dorëzuar. Studimi mjedisor akoma nuk është bërë. Patjetër që do t’i shohim kur të vijnë, do t’i ekspozojmë dhe do të kuptojmë të gjithë se çfarë do të bëhet. Por unë po them se me ç’më kanë parë sytë, me çfarë kanë bërë ata, është diçka që në Europë dhe Mesdhe nuk është”, tha Rama.

Ai krahasoi projektin me Costa Navarino në Greqi.

“Pse duhet të shikojmë me zili Greqinë për Costa Navarino? A ishte zonë e mbrojtur apo s’ishte? Nuk e di çfarë kategorie. E keni parë Costa Navarinon sot? Krenaria e turizmit grek. Pse duhet ne të shikojmë me zili Greqinë për Costa Navarinon apo për të tjera gjëra?!”, u shpreh Rama. /j.p/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›