Rama: Nëse nuk zbatohet projekti për fasadat, konfiskim total i objektit

TIRANË, 3 tetor/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama njoftoi sot parashikime të reja ligjore për moszbatimin e projektit të miratuar në dhënien e lejeve të ndërtimit, në rastin e fasadave të objekteve.
“Kjo është shumë e rëndësishme sepse siç mund ta dini në Shqipëri operon grupi më i madh i arkitektëve ndërkombëtar në të njëjtin vend dhe janë rreth 200 arkitektë ndërkombëtarë që studiojnë arkitekturën ndërkombëtare që janë të përfshirë në projekte në Shqipëri. Një pjesë jo e vogël e tyre janë emrat më të mëdhenj në botë”, u shpreh Rama.
Gjatë një konference për shtyp ku prezantoi paketën e re të masave ligjore për forcimin e kontrollit mbi territorin, Rama u ndal te moszbatimi i lejes së ndërtimit, siç ndodh rëndomë në rastin e fasadave të ndërtimeve të reja.
“Të marrësh arkitektë të këtij kalibri dhe në fund del një kub teneqeje sepse ndërtuesi bën çfarë të dojë me fasadën. Fasada është e drejta e çdokujt që nuk banon në atë godinë për të pasur një prezencë estetike aty ku jeton në radhe të parë, pastaj dhe komponentët e tjerë të fasadës që kanë të bëjnë me kursimin e energjisë, që kanë të bëjnë me të tjera aspekte, por në radhë të parë është e drejta e çdo kujt që jeton në këtë qytet ose në cilido qytet që të ketë rreth e rrotull gjëra të bukura jo shëmtuara”, shtoi Rama.
Rama theksoi se në rastin e fasadave mund të shkohet dhe në konfiskim total.
“Deri sot na i kanë bërë të vështira shumë gjëra sepse kanë përdorur njerëzit si puna e Hamasit për të mbrojtur veten. I kanë futur njerëzit pa certifikatë përdorimi nëpër shtëpi, pa mbaruar punimet, pa vënë dhe ashensorët ndonjëherë, se i dinë shumë mirë shqiptarët që më dëgjojnë tani dhe e kanë bërë të pamundur që të ndërmerren masat ekstreme, se çfarë do konfiskosh aty, si do ta konfiskosh kur njerëzit janë brenda, si do ta bllokosh?”, u shpreh Rama.
Ndërkohë, sipas tij “ndryshimi thelbësor që bëjmë me këto ndërhyrje është që nuk ka më ujë e nuk ka më drita pa marrë certifikatën e përdorimit dhe nuk ka më një qindarkë të paguar nga njerëzit për të blerë shtëpi që të mos përkthehet në pronë me hipotekë”.
“Nuk ka më që tjetër leje merr dhe tjetër leje zbaton. Kështu që deri për fasadën janë përcaktuara si dhe qysh, do shkohet deri në konfiskim”, shtoi ai.