Sejko pret Cipollonen, fokus modernizimi i pagesave dhe integrimi financiar i Shqipërisë me BE-në - ATSH -
TIRANË, 5 nëntor/ATSH/ Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko zhvilloi sot një takim me anëtarin e Bordit Ekzekutiv të Bankës Qendrore Evropiane (BQE), Piero Cipollone, i cili ndodhet në Shqipëri në kuadër të pjesëmarrjes në Konferencën e 8-të Ndërkombëtare të Skemave Rajonale të Kartave dhe Infrastrukturave të Tregut Financiar për Pagesat me Vlerë të Vogël.
Gjatë takimit, Sejko vlerësoi bashkëpunimin e vazhdueshëm ndërmjet Bankës së Shqipërisë dhe Bankës Qendrore Evropiane, duke theksuar rolin e këtij institucioni si partner i rëndësishëm në procesin e integrimit evropian të vendit.
Guvernatori nënvizoi angazhimin e Bankës së Shqipërisë për përafrimin e mëtejshëm të legjislacionit dhe kuadrit rregullator me acquis-në e Bashkimit Evropian, si një prioritet institucional që synon forcimin e kapaciteteve zbatuese dhe adoptimin e praktikave më të mira evropiane.
Sejko prezantoi gjithashtu zhvillimet ekonomike në vend, duke theksuar qëndrueshmërinë dhe performancën pozitive të ekonomisë shqiptare. Sipas tij, zgjerimi i aktivitetit ekonomik mbështetet nga konsumi, investimet, turizmi dhe një sektor bankar i shëndetshëm, ndërsa inflacioni është rikthyer pranë objektivit të Bankës së Shqipërisë.
Një vëmendje e veçantë gjatë takimit iu kushtua modernizimit të infrastrukturës së pagesave. Sejko theksoi se pjesëmarrja e Shqipërisë në Zonën Unike të Pagesave në Euro (SEPA) ka sjellë tashmë ulje të kostove dhe shkurtim të kohës së transfertave, duke nxitur përdorimin e kanaleve digjitale dhe pagesave formale.
Në këtë drejtim, ai u ndal edhe te zbatimi i projektit TIPS Clone, i cili synon krijimin e një platforme kombëtare për pagesa të menjëhershme, në përputhje me standardet evropiane, që do të mundësojë transaksione në kohë reale, 24 orë në ditë dhe shtatë ditë në javë.
Guvernatori vlerësoi mbështetjen e Bankës së Italisë dhe kontributin e Cipollone në nismën për zhvillimin e këtij projekti, i cili pritet të krijojë edhe kushte më të mira për zgjerimin e pagesave ndërkufitare.
Nga ana e tij, Cipollone vlerësoi angazhimin e Bankës së Shqipërisë për modernizimin e tregut të pagesave dhe përafrimin e tij me standardet evropiane, duke nënvizuar rëndësinë e zhvillimit të shërbimeve financiare të sigurta, efikase dhe të aksesueshme.
Gjatë takimit u diskutua edhe për rëndësinë e pavarësisë së bankës qendrore në përmbushjen e mandatit të saj, ruajtjen e stabilitetit të çmimeve dhe forcimin e besimit të publikut.
Cipollone theksoi se pavarësia e bankave qendrore është kusht thelbësor për autoritetin, besueshmërinë dhe reputacionin e tyre institucional. Ai vlerësoi gjithashtu rëndësinë e përafrimit të kuadrit ligjor të Bankës së Shqipërisë me standardet evropiane për pavarësinë e bankës qendrore dhe ndalimin e financimit monetar të sektorit publik.
Në përfundim, Sejko nënvizoi rëndësinë e vijimit dhe thellimit të bashkëpunimit me Bankën Qendrore Evropiane, në funksion të avancimit të reformave dhe integrimit financiar të Shqipërisë me Bashkimin Evropian.
/a.f/r.e/
Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
