E Hënë, 2 Nëntor 2026

Rama: Një 90-vjeçar përfundoi në gjykatë për një riparim, mes Tiranës 4 apo 5 kate ndërtim pa leje

TIRANË, 19 shtator/ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “kontrolli i territorit në kuptimin e ndërtimeve ka filluar dhe këtu Policia e Shtetit ka një përgjegjësi të drejtpërdrejtë që të vihet në një farë rruge”.

Në fjalën e tij gjatë prezantimit të ministres së Punëve të Brendshme, Albana Koçiu, Rama tha se “kjo ka ardhur falë angazhimit të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, sepse deri dje Policia e Shtetit ishte pjesë e problemit, jo e zgjidhjes”.

“Sikur të mblidheshin në sheshin ‘Skënderbej’ të gjithë fshatarët, të cilëve Policët e Shtetit iu kanë vënë gjoba personale apo iu kanë vënë gjoba shtetërore për një avlli, do bëhej mitingu më i madh pas atij për pritjen e Çu En Lait”, tha Rama.

Kreu i Ekzekutivit shtoi se “vetëm në këtë periudhë është dhënë mesazhi që sado të madh ta kesh emrin në botën e ndërtimit dhe sado të madh ta kesh pallatin me shkelje, shteti është më i madh se ty dhe ti nuk e gëzon dot”.

Kryeministri Rama përmendi një situatë ku një i moshuar në Tiranë përfundoi në Prokurori dhe Gjykatë për ndërtime minimale, ndërkohë që ndërtues të mëdhenj kanë vepruar për vite të tëra pa pengesa.

“Një burrë i vjetër, 90 e kusur vjeç, përfundoi në prokurori dhe gjykatë si ndërtues pa leje për një riparim matanë Dajtit. Se si e gjeti Policia, se ku e pikasën këtë kriminel 90 e ca vjeç në një vrimë matanë Dajtit, do ishte për medalje ari po qe se kishte mbetur vetëm ai 90-vjeçari atje. Ndërkohë ‘Syri i Tiranës’ këtu, 4 apo 5 kate pa leje, të cilat do t’i gëzojë shteti dhe jo ai që i ka ndërtuar”. tha Rama.

/k.s/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›