Rusi: Besimi i publikut te drejtësia rritet me besimin e vetë gjyqtarit në punën e tij

TIRANË, 19 shtator /ATSH/ Kryetari i Këshillit të Lartë Gjyqësor, Ilir Rusi mori pjesë në takimin e nivelit të lartë mbi Llogaridhënien në Gjyqësor, të organizuar nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë në bashkëpunim me Ambasadën e Mbretërisë së Vendeve të Ulëta, me rastin e prezantimit të projektit “Fuqizimi i integritetit gjyqësor në Shqipëri”.
Në këtë aktivitet morën pjesë drejtues të institucioneve kryesore të sistemit të drejtësisë, përfaqësues të gjyqësorit shqiptar, si edhe përfaqësues të Ambasadës dhe gjyqësorit holandez.
Gjatë fjalës së tij në panelin e diskutimit me temë: “Llogaridhënia, paanshmëria dhe integriteti në gjyqësor: Roli i institucioneve”, Rusi theksoi rëndësinë e transparencës përmes pasqyrimit sa më të plotë të funksionimit të gjyqësorit.
Ai nënvizoi se “besimi i publikut te drejtësia rritet në përpjesëtim të drejtë me besimin e vetë gjyqtarit në punën dhe kontributin e tij”.
Kryetari i KLGJ e mbylli fjalën e tij, duke theksuar “se integriteti i gjyqtarit është themeli i ushtrimit të drejtë dhe të paanshëm të funksionit gjyqësor”.
/m.q//r.e//a.f/