Rama: Paketa e Maleve, mundësi për ata që duan të investojnë në tokën e tyre

TIRANË, 23 tetor /ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se Paketa e Maleve është ilaçi për një dhimbje 30 e kusur vjeçare e njerëzve që e kanë tokën, nuk e kanë pranuar 7501-shin ose nuk e kanë marrë akoma dokumentin – që i jep edhe me letër atë që e kanë me zakon – dhe duan të investojnë në tokën e tyre.
Në një takim me kryebashkiakët për këtë paketë, Rama u shpreh se nëse kryebashkiakët presin përgjigje nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës do të thotë që nuk kanë kuptuar ligjin.
“Bëmë Ligjin 2020 për ta adresuar këtë problem dhe përsëri rezultati nuk ishte ai i dëshiruar, sepse përsëri ka një komplikim të pashmangshëm, mendoj unë, për të marrë gjithë miratimet e të gjithë atyre kufitarëve të pronës përkatëse, gjë që në shumë raste shfaqet shumë e komplikuar për faktin se kufitarët mund të jenë në vende të ndryshme të botës, për faktin se një pjesë e tyre edhe nuk gjenden, për faktin se një pjesë e tyre dhe mund të mos duan etj.”, tha Rama.
Pikërisht, theksoi kreu i qeverisë, “për këto arsye ne kemi ndërtuar këtë paketë, e cila i jep mundësinë atij që e ka tokën që të vijë në bashki dhe të thotë unë dua të ndërtoj këtu një agroturizëm, dua të ndërtoj këtu një fermë”.
“Vijnë në bashki, shprehin interesin dhe bazuar në faktin që toka nuk është një territor i kontestuar siç është rasti në shumicën dërrmuese të këtyre zonave ku territoret përkatëse aty ku 7501-shi nuk është pranuar, nuk janë të kontestuara në shumicën dërrmuese. Publikohet shprehja e interesit për të pritur kontestime nëse ka për 45 ditë. Që dhe kjo është një afat që mund të bëhet më i shkurtër. Dhe në momentin kur nuk ka kontestime nga të tjerë që thonë: jo, se kjo është toka ime – atëherë personi i drejtohet ministrisë përkatëse me projektin dhe merr një kontratë, e cila është një kontratë me 1 euro, siç jepet një kontratë për një tokë publike. Ai e bën investimin dhe deri kur të zgjidhet përfundimisht problemi dhe ai të regjistrojë në hipotekë tokën, dhe falë investimit zotëron plotësisht të drejtën që të bëjë investimin”, tha Rama.
“E njëjta gjë vlen edhe për marrjen e fondeve të ndryshme përfshirë edhe fonde të BE-së kur ke në dispozicion këtë dokument, këtë kontratë, këtë marrëveshje të drejtpërdrejtë të menjëhershme, pa burokraci, pa histori”, theksoi Rama.
Rama u shpreh se puna ka ngecur tek bashkitë të cilat duhet t’i nisin qeverisë zonat që i hapin rrugën kësaj pakete.
“Ajo që ne nuk kemi pritur është që procesi të ngecë aty ku në fakt është hapi më i thjeshtë dhe më i shpejtë, hapi juaj që të përcaktoni zonat dhe t’i çoni qeverisë dhe të thoni në këto zona ne duam të hapim rrugën e kësaj pakete. Duke praktikisht përjashtuar vetëm ato pjesë që janë zona të mbrojtura e kështu me radhë, ku përsëri ekziston mundësia e bërjes së një investimi me karakteristikat e përcaktuara në ligjin përkatës, por që në atë rast duhet të kalojë nga tjetër kanal”, tha Rama.
/gj.m/j.p/r.e/