E Hënë, 2 Nëntor 2026

Ibrahimaj: Përjashtim nga TVSH e tatimfitimi për 10 vite për 500 përfituesit e parë nga Paketa e Maleve

TIRANË, 23 tetor/ATSH/ Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj deklaroi sot se qeveria po ndërmerr hapa konkretë për të zgjidhur problemet e vjetra që kanë penguar zhvillimin e turizmit në të gjithë territorin e Shqipërisë.

Gjatë një takimi me kryetarët e bashkive në vend, ku i pranishëm ishte edhe Kryeministri Edi Rama për Paketën e Maleve, Ibrahimaj theksoi rëndësinë e kësaj pakete në drejtim të zhvillimit të turizmit dhe ekonomisë në tërësi.

Ministrja Ibrahimaj vuri në dukje se një nga pengesat kryesore për investimet është problematika e pronësisë, që shpesh pengon procesin e investimeve.

Për këtë arsye, shtoi ajo, projektligji i miratuar muajt e fundit synon krijimin e një mekanizmi koordinimi të ngushtë mes institucioneve qeveritare dhe pushtetit vendor, duke filluar nga njësitë administrative dhe duke përfshirë ministritë e Ekonomisë, Financave dhe Turizmit.

Ky mekanizëm synon të eliminojë pengesat burokratike dhe të lehtësojë investimet në territor.

Ministrja informoi se deri tani bashkitë e Tropojës, Elbasanit, Belshit, Përmetit dhe Sarandës, kanë qenë ndër të parat që kanë sjellë propozime konkrete dhe janë angazhuar në bashkëpunim të ngushtë me ministrinë për zbatimin e këtij projekti.

Ajo i ftoi bashkitë e tjera të ndjekin shembullin e tyre dhe të konkurrojnë në zbatimin e projektligjit.

Ky projektligj parashikon një paketë masash të rëndësishme fiskale ku për 500 përfituesit e parë, paketa parashikon lehtësira të rëndësishme duke përfshirë përjashtimin nga TVSH-ja, heqjen e taksave të ndikimit në infrastrukturë, taksës së pronës dhe përfitime nga tatimi mbi fitimin për një periudhë 10-vjeçare.

“Këto masa janë nxitje të rëndësishme që bashkë me zgjidhjen e problemit të pronësisë, do të ndikojnë në përshpejtimin e investimeve dhe zhvillimit ekonomik lokal”, tha ajo.
Për herë të parë, vijoi Ibrahimaj, qeveria po synon dhënien e të drejtës së pronës me kushtin e detyrueshëm për zhvillim.

“Deri tani, kjo e drejtë është dhënë, por prona ka mbetur e pazhvilluar dhe nuk ka dhënë kontributin e pritshëm në ekonominë lokale. Përmes këtij projektligji, qytetarët dhe investitorët do të kenë mundësinë të zhvillojnë pasuritë e tyre, duke përfituar pronësinë me një çmim simbolik prej 1 euro, me kusht që brenda një afati të caktuar të kryejnë investime konkrete”, u shpreh ajo. /j.p/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›