Rama: Pasaporta evropiane e Shqipërisë sjell njohje automatike të pensioneve për shqiptarët në Greqi

TIRANË, 23 prill /ATSH/ Kryeministri Edi Rama njëherësh, kryetari i Partisë Socialiste, zhvilloi sot takim me gra e vajza të qarkut Berat.
Në fjalën e tij, Rama u shpreh se, shqiptarët që jetojnë dhe punojnë në Greqi kanë sot ankthin nëse do t’u njihet apo jo pensioni dhe kjo zgjidhet me pasaportën evropiane të Shqipërisë.
“Kjo lidhet me ata që janë në Greqi. Ju keni plot miq, shokë, të afërm, familjarë, ndoshta motra, vëllezër në Greqi që e kanë sot ankthin e madh pas kaq shumë vitesh punë do t’u njihet apo s’do t’u njihet pensioni dhe kërkojnë që ne qeveria të bëjmë çmos dhe ne po bëjmë çmos. Por është një marrëveshje e vështirë. E mbyllëm më në fund me Italinë pas shumë vitesh. Me Greqinë është shumë e vështirë se janë shumë shqiptarët atje, Greqia s’ka fuqinë e Italisë, megjithatë ne po punojmë me ta”.
Por ama, shtoi Rama, “nëse shqiptarët marrin këtë pasaportë, e dini çfarë do të thotë kjo për ata që janë jashtë, njohja automatike e pensioneve, leja automatike qëndrimi, të drejta të barabarta me çdokënd tjetër, sepse janë qytetarë të të njëjtës shtëpi, të Bashkimit Evropian. Nuk kanë nevojë më fare për pasaportë greke, italiane, spanjolle, nuk kanë nevojë. Ju duhet ajo pasaportë vetëm për një arsye nëse duan të bëhen kryeministra e ministra në Itali dhe në Greqi. Se me këtë pasaportë mund të zgjidhen në këshillat bashkiakë, në këshillat komunalë, mund të bëhen kryetarë bashkie, mund të bëhen eurodeputetë, shqiptarë me banim atje, nëse marrin votat për të shkuar dhe në parlamentin Evropian, të gjitha”.
Rama u shpreh se e gjithë shuma që Shqipëria ka marrë nga BE për bujqësinë dhe ka bërë kaq shumë punë është shumë më pak se 200 milionë euro në total gjithë këto vite.
Ndërsa, shtoi Rama, nga BE marrim në vit nëse bëhemi pjesë e asaj familje vetëm për bujqësinë dhe fshatin 300 milionë euro.
Rama theksoi se, ata janë fermerë dhe duan të bëjnë një bujtinë, një agroturizëm dhe janë me “kënetën”, nuk duhet ta harxhojnë votën, por ta investojnë që ajo që duan të bëjnë të ketë një shans më shumë sepse Shqipëria do të ketë shumë më tepër mundësi t’i gjendet.
Duke komentuar drejtuesin politik të PD-së në Berat, Enno Bozdo, Rama u shpreh se, “qe një Enno, Enno, një vazo arkeologjike që s’di nga e kanë nxjerrë. E kanë sjellë këtu për deputet. As vazo, jo qyp arkeologjik. Enno, një pa asnjë vlerë, zero. Zero. Fatorino nuk e vë atë unë. E kanë sjellë këtu drejtues. E për çfarë, për Ennon”.
“Të gjithë duhet ta mendojnë, sepse është përgjegjësi e madhe në këto zgjedhje. Nuk është për mua. Nuk është për karrigen time, nuk është për qeverinë, nuk është për shumicën se këto ne, sikur të isha unë këtu për këtë s’do ishte prapëseprapë ky hall se aq vota ne i kemi, më poshtë nuk biem. Problemi është për Shqipërinë që t’i japim një fuqi vendimmarrëse që të mos torolisemi me Ennot dhe me enët e arkeologjisë politike”, tha Rama.
/r.e//a.f/