Rama: Peizazhet mahnitëse të qarkut Shkodër përzgjidhen për reklama nga marka prestigjioze

TIRANË, 9 korrik /ATSH/ Peizazhet mahnitëse të qarkut Shkodër janë përzgjedhur si skenë për realizimin e reklamës më të re të “Honda”-s, një prej markave më prestigjioze të industrisë automobilistike në botë.
Kryeministri Edi Rama, ndau në rrjetet sociale një video nga reklama, teksa theksoi se kjo është një tjetër dëshmi se Shkodra po kthehet në një destinacion gjithnjë e më të rëndësishëm për produksione filmike dhe reklamuese të nivelit të lartë
“Shkodra zgjidhet nga emra të mëdhenj të industrisë ndërkombëtare. Peizazhet mahnitëse të qarkut Shkodër u përzgjodhën për realizimin e reklamës më të re të Honda, një prej markave më prestigjioze të industrisë automobilistike në botë. Një tjetër dëshmi se Shkodra po kthehet në një destinacion gjithnjë e më të rëndësishëm për produksione filmike dhe reklamuese të nivelit të lartë”, shkruan kryeministri Edi Rama.
Vitet e fundit, Shkodra është shndërruar në një nga destinacionet turistike me rritjen më të shpejtë në Shqipëri, falë kombinimit të turizmit kulturor, me atë të natyrës dhe aventurës.
Shkodra ofron një pasuri të madhe atraksionesh për vizitorët, që nga Kalaja e Rozafës, Muzeu Historik i Shkodrës, Muzeu i Fotografisë “Marubi”, liqeni i Shkodrës, zona e Shirokës dhe ajo e Zogajt, si dhe zonat malore si Thethi, një nga perlat e Alpeve Shqiptare.
/m.q/r.e/