Rama: Pjesë hidraulike jashtë standardeve në ujësjellësin e Vlorës, mbërrijnë sot të rejat nga Stambolli

TIRANË, 29 dhjetor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama bëri sot të ditur se pjesët e reja hidraulike për riparimin e defektit të rëndë në ujësjellësin e Vlorës janë duke shkuar drejt aeroportit të Stambollit, për të ardhur sot brenda ditës në Shqipëri.
Në një reagim ndaj situatës së krijuar në Vlorë, Rama u shpreh se “në vitin 2009-2010 janë instaluar pjesë hidraulike jashtë standardeve, që nuk e kanë mbajtur dot më presionin e ujit dhe për pasojë tubacioni ka shpërthyer”.
“Respekt për punën e palodhur të punëtorëve të Ujësjellësit Vlorë, që nën drejtimin e drejtorit të përgjithshëm të Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës Kanalizimeve, inxhinierit të njohur Flauers Shoshi, i cili prej disa ditësh e netësh gjendet në krye të operacionit të vështirë, po bëjnë të pamundurën për ta mbyllur këtë plagë të hapur në trupin e Vlorës prej një mine të vjetër nga një kohë e zezë për Vlorën”, u shpreh Rama.
Rama u kërkoi po ashtu ndjesë qytetarëve të Vlorës për këtë peripeci të pamerituar.
“Vlonjatëve të mi u them ndjesë për tërë këtë peripeci të pamerituar dhe siç thoshin gjyshet tona, plasi më në fund edhe syri i keq pas tërë këtyre viteve të mira për Vlorën, e ja që kush i do të keqen Vlorës, veç të keqen do t’i marrë”, u shpreh ai.
Prej 4 ditësh qyteti i Vlorës nuk furnizohet me ujë për shkak të një defekti në linjën kryesore.
1 nga 2/m.m/j.p/r.e/