E Martë, 3 Nëntor 2026

Rama: Projektet e zhvillimit të turizmit në Lezhë, të jashtëzakonshme

TIRANË, 18 prill/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste u shpreh sot se projektet zhvillimit të turizmit në Lezhë janë të jashtëzakonshme dhe tani duhet vetëm t’i jepet koha e nevojshme për t’u bërë realitet.

Në një takim me gratë dhe vajzat e qarkut të Lezhës, Rama theksoi u ndal te zhvillimi që ka ndodhur në bashkitë e Lezhës dhe të Kurbinit gjatë këtyre 4 viteve.

Kryeministri theksoi se në këtë mandat për qarkun e Lezhës është bërë çfarë nuk është bërë më parë.

“Ne e kemi mbajtur fjalën më parë kur kemi thënë të luftojmë për të marrë një mandat dhe do të bëjmë më shumë se në mandatet e mëparshme. Besoj se në këtë mandat, për qarkun e Lezhës kemi bërë çfarë nuk është bërë më parë. Kemi pasur edhe fatin që të kemi një kryetar bashkie me të cilin ndajmë jo vetëm vizionin dhe dijen por edhe të njëjtën qasje praktike konkrete për t’i ndenjur punëve mbi kokë”, tha Rama.

Kryeministri veçoi edhe punën e kryer në bashkinë e Kurbinit, ndërsa theksoi se çfarë i është bërë Kurbinit këto vite, zor se e gjen t’i jetë bërë ndonjë qyteti tjetër.

“Çfarë i është bërë Lezhës në këto vite zor se i është bërë në të gjitha vitet e tjera të marra bashkë. Projektet e reja janë akoma më të rëndësishme se ato që janë bërë. Projektet e zhvillimit të turizmit në Lezhë janë projekte të jashtëzakonshme, duhet t’i japim vetes kohën e nevojshme për t’i bërë ato realitet”, tha Rama. /j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›