Rama: Me rëndësi mosndërprerja e negociatave, dera mund të mbyllet dhe mund ta gjejmë veten në 2037 jashtë BE

TIRANË, 18 prill /ATSH/ Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste e cilësoi historike votën e 11 majit për PS.
Në një takim me gratë dhe vajzat e qarkut të Lezhës, Rama tha se, “çfarë ndodh në datën 12, 13 maj etj, ndërkohë që numërojmë votat këtu, ne nuk vazhdojmë negociatat atje, po krijohet një amulli si do jetë qeveria kush do të jetë qeveria. Çfarë ndodh? Ndodh vetëm një gjë që ne nuk e kapim 2027 dhe dera mund të mbyllet dhe mund ta gjejmë veten në 2037 jashtë BE. Kjo nuk ka asnjë çudi”.
Rama vuri në dukje, se siç ndodh ndonjëherë, treni i historisë na ka ndaluar përpara dhe nisja është më 11 maj.
“Fati europian i Shqipërisë ishte dhe fati ynë në këtë moment”, tha ai.
Sipas tij, “na takon neve të bëjmë tonën”.
“Të vazhdojmë me negociatat dhe t’i mbyllim në vitin 2027. Nëse i mbyllim negociatat në 2027, ne jemi në BE, sepse janë pak a shumë dy vitet me ratifikimet në parlamente dhe procesi mbaron me këtë Komision Europian. Nëse BE futet në zgjedhje të tjera, dalin forca të tjera, nuk dimë çfarë ndodh me botën, ne mund të rrimë jashtë”, vijoi Rama.
Ai tha se, tani nuk ia vlen të hedhim bast midis partish, ndërkohë që basti është këtu mes Shqipërisë për Europën dhe Europës për Shqipërinë.
Gjatë fjalës së tij, Rama ftoi edhe demokratët të votojnë për Shqipërinë në BE.
“Pyetja vjen se çfarë fiton dikush, psh djali te parkingu është demokrat, çfarë fiton ai, duke e hedhur votën në kënetë? Çfarë ndryshon për të? Çfarë vjen për të?. Asgjë më e mirë nuk vjen dhe kjo është e sigurt. Vjen më keq. Boll të shohësh historinë e bufit të kënetës, e ke të sigurt, se sa herë vjen bufi nuk vjen për mirë por vjen për keq”, u shpreh Rama.
Ai tha se, për këtë arsye edhe ata duhet ta bëjnë këtë sforco. /j.p/
1 nga 8